Varroset Navalny, në sfond kënga legjendare e Frank Sinatrës - NACIONALE

Varroset Navalny, në sfond kënga legjendare e Frank Sinatrës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Opozitari i njohur rus, Alexei Navalny, u varros të premten në Moskë, dy javë pasi u shpall i vdekur në burg nga autoritetet ruse. Gjatë varrimit, Navalny u përcoll me këngën e Frank Sinatrës, “My Way” (“Rruga Ime”).

Televizioni BBC raporton se ende nuk është përcaktuar saktë se sa njerëz morën pjesë në funeral, por me siguri se bëhet fjalë për mijëra.

Njerëzit në ceremoni u dëgjuan duke brohoritur “jo luftës”, “Rusia pa Putinin” dhe “Rusia do të jetë e lirë”.

Shumë njerëz janë arrestuar në Rusi thjesht pse kanë mbajtur shenja me slogane të tilla. Për ata që i përcjellin zhvillimet në Rusi, skena e sotme dukej surreale, shkruan reporterja e BBC-së, Laura Gozzi.

Bashkëshortja e Navalnyt, Yulia, dhe dy fëmijët e tyre tash për tash nuk jetojnë në Rusi dhe kishin vendosur që të mos shkonin atje, sipas raportimeve për shkak të shqetësimit për masa të mundshme nga Kremlini.

Në një dedikim prekës në rrjetin “Instagram”, Yulia e falënderoi bashkëshortin për “26 vjet të lumturisë absolute”.

“Nuk di si të jetoj pa ty, por do të mundohem që ta bëj këtë në mënyrë që ti – atje lart – të jesh i lumtur dhe krenar me mua. Ne definitivisht do të takohemi një ditë” – tha ajo.

Lajme të ngjashme