Vapë rekorde për muajin qershor në Pekin, temperatura shkon në 40,7 gradë - NACIONALE

Vapë rekorde për muajin qershor në Pekin, temperatura shkon në 40,7 gradë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Temperatura në Pekin të Kinës shkoi në mbi 40 gradë të enjten, për herë të parë që nga viti 2014, duke e thyer rekordin për ditën më të nxehtë në qershor. Vala e vapës, që e preku pjesën veriore të Kinës para një jave, pritet që të vazhdojë edhe gjatë fundjavës.

Në një stacion për motin në periferinë jugore të Pekinit u regjistrua temperatura 40,7 gradë në orën 14 e 30 minuta, sipas byrosë komunale të motit, duke e shënuar kalimin e parë të vapës prej 40 gradësh që nga 29 maji i vitit 2014, raporton agjencia “Reuters”.

E enjtja ishte dita më e nxehtë në muajin qershor në Pekin që nga fillimi i regjistrimit modern të të dhënave meteorologjike. Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar më 10 qershor 1961, kur temperatura kishte shkuar në 40,6 gradë Celsius.

Më herët të enjten, autoritetet e qytetit me gati 22 milionë banorë e shpallën alarmin e portokalltë, që është paralajmërimi i shkallës së dytë më të lartë, duke thënë se temperatura mund të shkojë deri në 39 gradë në disa pjesë të qytetit nga e enjtja deri të shtunën.

Pekini, Tianjini, Hebei dhe Shandongu në pjesët veriore dhe lindore të Kinës u ballafaquan me një valë vape javën e kaluar, duke i nxitur autoritetet që t’i shtonin përpjekjet për t’i mbrojtur të mbjellat, për ta garantuar sigurinë e turistëve dhe për ta pezulluar punën në mjedis të hapur gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Sipas Administratës Meteorologjike të Kinës, vala më e re e vapës, që ka rënë në kohën e një feste atje, do t’i prekë edhe rajonet e Mongolisë së Brendshme në veri dhe Xinjiangun në perëndim.

Lajme të ngjashme