Vapë e madhe në Spanjë: Vajza dyvjeçare vdes në veturë, babai e harroi dhe shkoi në punë
Një vajzë dyvjeçare ka vdekur nga vapa në pjesën veriperëndimore të Spanjës, pasi aksidentalisht ishte lënë në veturën e babait të saj gjatë një vale të pazakonshme të vapës që mund të sjellë temperatura deri në 38 gradë.
Fëmija, emri i të cilit nuk është publikuar, pësoi arrest kardiak të mërkurën pasdite, pasi ishte lënë për disa orë në veturë në qytezën Brion të Galicisë. Babai i saj kishte harruar që ta nxirrte nga vetura e ta dërgonte në çerdhe, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas raportimeve, burri e kishte dërguar fëmijën e madh në shkollë atë mëngjes dhe planifikonte që ta dërgonte në çerdhe vajzën, por ishte shpërqendruar nga një telefonatë. Në vend se të nisej drejt çerdhes, ai shkoi në punë, duke e lënë fëmijën në veturë.
Alarmi u ngrit atë pasdite, kur nëna e vajzës shkoi që ta merrte atë në çerdhe dhe i ishte thënë se askush nuk e kishte sjellë fëmijën atë mëngjes. Kur morën vesh se çfarë kishte ndodhur, prindërit i thirrën shërbimet emergjente dhe vajza u dërgua në një qendër shëndetësore në qytezën Bertamirans, ku u shpall e vdekur.
Policia është duke e hetuar rastin, ndërsa familjes po i ofrohet mbështetje psikologjike.
Këshilli i qytetit Brion shpalli dy ditë zie për vajzën dhe njoftoi se një minutë heshtjeje do të mbahet në kujtim të saj të premten.
Spanja po ballafaqohet me mot që është tipit për mesin e verës. Zyra meteorologjike shtetërore tha se “temperatura jashtëzakonisht të larta” mund të shënohen në disa pjesë jugore të vendit – 36 deri në 38 gradë./Nacionale