Vapë e madhe në Amerikën e Veriut, dhjetëra njerëz përfundojnë në spitale - NACIONALE

Vapë e madhe në Amerikën e Veriut, dhjetëra njerëz përfundojnë në spitale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dhjetëra njerëz janë dërguar në spitale për shkak të sëmundjeve të ndërlidhura me vapën, përderisa vala e parë e madhe e të nxehtit po lëshohet në pjesën lindore të Amerikës së Veriut.

Më shumë se 150 njerëz u sëmurën në një ceremoni diplomimi të organizuar në mjedis të hapur në New Jersey të ShBA-së të hënën, sipas mediave amerikane, përderisa kryetari i qytetit Paterson shpalli gjendje të jashtëzakonshme, raporton televizioni BBC.

Në Washington DC, gjashtë njerëz patën nevojë për trajtim në spital gjatë një koncerti të bendit nga Koreja e Jugut, “Stray Kids”, sipas televizionit “CBS News”.

Paralajmërime për vapë janë në fuqi nga pjesa qendrore-perëndimore e ShBA-së deri në bregdetin lindor, si dhe në disa pjesë të Ontarios, Kuebekut dhe Nova Scotia-s në Kanada, duke prekur më shumë se 160 milionë njerëz gjatë javës.

Më në jug, përgjatë bregdetit lindor të ShBA-së, dhjetëra njerëz në Karolinën e Veriut kërkuan trajtim për probleme të ndërlidhura me vapën.

Mediat lokale raportuan se të paktën 41 persona, përfshirë disa fëmijë, janë dërguar në spitale në pjesën qendrore të Karolinës së Veriut.

Autoritetet lokale në New Jersey e cilësuan sëmurjen e njerëzve në ceremonitë e diplomimit incident “me viktima masive” për shkak të numrit të madh të njerëzve të prekur. Në atë zonë disa ceremoni diplomimi janë anuluar.

Kryetari i qytetit Paterson, Andre Sayegh, shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të vapës, duke i anuluar të gjitha aktivitetet rekreative në zonë dhe duke i hapur qendrat për freskim./Nacionale

Lajme të ngjashme