Vance thotë se dhurimi i interesave ekonomike ShBA-së në Ukrainë është garanci e sigurisë
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, tha të hënën se dhurimi i një interesi ekonomik Uashingtonit në të ardhmen e Ukrainës do të shërbejë si garanci e sigurisë për shtetin që Rusia po e lufton që nga shkurti i vitit 2022.
“Nëse dëshironi garanci të vërteta të sigurisë, nëse doni që në të vërtetë të siguroheni që Vladimir Putini të mos e pushtojë Ukrainën përsëri, garancia më e mirë e sigurisë është që t’u jepet amerikanëve avantazh ekonomik në të ardhmen e Ukrainës” – tha Vance në intervistë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kjo është një garanci sigurie shumë më e mirë se 20 mijë trupa nga një vend i rëndomtë që nuk ka zhvilluar një luftë qe 30 ose 40 vjet” – shtoi ai.
“Ajo që presidenti Trump e ka thënë qartazi dhe në mënyrë të vazhdueshme është, natyrisht, se dera është e hapur, për aq gjatë sa Zelensky është i gatshëm që të bisedojë seriozisht për paqen. Ju nuk mund të vini në Zyrën Ovale ose kudo tjetër dhe të refuzoni që madje t’i diskutoni hollësitë e një pakti të paqes” – tha më tej zëvendësi i Trumpit.
Franca, Britania dhe potencialisht shtete të tjera evropiane kanë bërë ofertë që të dërgojnë trupa në Ukrainë në rast të një armëpushimi, ide që Moska tashmë e ka kundërshtuar.
Zelensky thotë se pjesë e një armëpushimi duhet të jenë në mënyrë eksplicite edhe garancitë e sigurisë nga Perëndimi.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se vendi i tij dhe Britania do të propozojnë armëpushim të pjesshëm njëmujor, në të cilin nuk do të përfshiheshin luftimet tokësore./Nacionale