Ushtria nigeriane vret “gabimisht” 16 civilë me një sulm ajror
Së paku 16 civilë në shtetin veriperëndimor të Nigerisë, Zamfara, janë vrarë nga një sulm ajror ushtarak, mësa duket pasi u cilësuan gabimisht si banda kriminale.
Banorët u thanë mediave lokale se viktimat ishin pjesëtarë të grupeve lokale vigjiluese dhe civilë që po e mbronin veten nga bandat e armatosura, famëkëqija për rrëmbimin e njerëzve për të kërkuar më pas shpërblesa për lirimin e tyre, raporton televizioni BBC.
Në shënjestër të sulmeve ishin bandat militante në zonat Zurmi dh Maradun dhe guvernatori Dauda Lawal i shprehu ngushëllime komunitetit.
Ushtria ka pranuar se ka kryer sulme ajrore, për të cilat tha se u kishin dhënë “një goditje vendimtare banditëve që po terrorizojnë fshatra në zonë”.
Forca Ajrore e Nigerisë (NAF) tha se ishte duke hetuar “raportime për humbje të vigjiluesve”.
“Përderisa operacioni me sukses eliminoi disa banditë dhe çoi në shpëtimin e disa viktimave të rrëmbimit, NAF-i i sheh me shqetësim serioz raportimet për humbje të jetës së civilëve në rrjedhën e operacionit” – thuhet në një deklaratë të Forcës Ajrore.
Agjencia e lajmeve AFP citoi një banor lokal të ketë thënë se civilët ishin duke u kthyer në fshatrat e tyre, pasi i kishin ndjekur banditët, kur ata u bombarduan.
Banorët e fshatrave “nxorën 16 trupa nga sulmet dhe dërguan disa njerëz të tjerë me lëndime të rënda në spital” – citohet të ketë thënë Sa’idu Ibrahim./Nacionale