Ushtria izraelite urdhërohet që të përgatitet për të qëndruar dimrit në territorin e kapur sirian
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, e ka udhëzuar ushtrinë e vendit të tij që të përgatitet për ta mbajtur nën kontroll Malin e Hermonit, në territorin sirian të kapur këtë javë, sipas një zëdhënësi të kësaj ministrie.
Trupat izraelite u vendosën në pikën e lartë strategjike pas rrëzimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, nga pushteti përmes një ofensive të shpejtë të rebelëve. Izraeli e kishte përshkruar vendosjen e trupave si lëvizje të përkohshme sigurie, raporton televizioni CNN.
Katzi e udhëzoi ushtrinë izraelite që të përgatitet për dislokim dimëror në zonën e lartë, duke thënë: “Për shkak të zhvillimeve në Siri, është me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë që të mbahet kontrolli mbi majën e Malit Hermon.”
“Për shkak të kushteve të ashpra të motit, është e nevojshme që të ndërtohen objekte të duhura dhe të bëhen përgatitje të posaçme për qëndrimin e ushtarëve në majën e Malit Hermon” – tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Të premten, ministri Katz publikoi në rrjetin X një fotografi ku shihen ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu në Rrafshnaltën e pushtuar të Golanit, me përshkrimin: “Me pamje nga maja siriane e Malit Hermon, e cila u rikthye në kontrollin izraelit pas 51 vjetëve. Një moment historik emocionues.”
יחד עם ראש הממשלה בנימין נתניהו ברמת הגולן.
— ישראל כ”ץ Israel Katz (@Israel_katz) December 13, 2024
משקיפים על שיא החרמון הסורי שחזר לשליטת ישראל אחרי 51 שנים.
רגע היסטורי מרגש. pic.twitter.com/oSJKoa4Bro
Izraeli e kishte kapur Rrafshnaltën e Golanit nga Siria në luftën e vitit 1967. Territori cilësohet si tokë e pushtuar siriane sipas së drejtës ndërkombëtare.
Më herët këtë javë, ushtria izraelite tha se “një operacion i nivelit të brigadës në rajonin e Hermonit Sirian” brenda zonës neutrale ishte duke u zhvilluar.
Hyrja e trupave izraelite në zonën neutrale, e cila është themeluar pas luftës së vitit 1973, është dënuar nga Egjipti dhe vende të tjera arabe./Nacionale