Ushtria izraelite thotë se ka nisur operacione “të kufizuara” tokësore në Liban - NACIONALE

Ushtria izraelite thotë se ka nisur operacione “të kufizuara” tokësore në Liban

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite thotë se trupat e saj kanë nisur “operacione tokësore të kufizuara dhe me shënjestra” kundër Hezbollahut në pjesën jugore të Libanit.

Sipas ushtrisë, në shënjestër të operacioneve ishin “bastione kyçe të Hezbollahut” ditëve të fundit me qëllim të fuqizimit të mbrojtjes së komuniteteve kufitare izraelite, raporton televizioni BBC.

Aeroplanët luftarakë izraelitë kanë vazhduar që të godasin qyteza e fshatra në jug të Libanit. Mediat shtetërore thanë se shtatë njerëz, përfshirë dy pjesëtarë të ekipeve mjekësore, u vranë të hënën.

Në Izrael u aktivizuan sirenat e alarmit për sulme ajrore si reagim ndaj hedhjes së raketave nga Hezbollahu, por nuk u raportua për viktima.

Libani u përfshi në konfliktin mes Izraelit e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit dy javë më parë, kur Hezbollahu hodhi raketa e dronë drejt Izraelit si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem të Iranit dhe sulmeve të përsëritura izraelite që nga arritja e armëpushimit më 2024.

Të paktën 850 njerëz, përfshrië 107 fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban në konfliktin e ri dhe 830.000 të tjerë janë zhvendosur, sipas autoriteteve libaneze.

Në anën tjetër, sipas ushtrisë izraelite, dy ushtarë izraelitë janë vrarë në jug të Libanit.

Mediat izraelite raportuan se tri divizione të ushtrisë izraelite – që përbëhen nga mijëra trupa – janë duke operuar tani në jug të Libanit, ndërsa dy divizione të tjera pritet t’u bashkohen atyre ditëve në vijim.

Operacionet tokësore janë një goditje e re ndaj sovranitetit libanez dhe do të nxisin frikë për një pushtim të zgjatur izraelit, thekson transmetuesi publik britanik./Nacionale

Lajme të ngjashme