Ushtria izraelite po heton për të marrë vesh nëse e ka vrarë kreun e Hamasit
Ushtria izraelite është duke hetuar për të konfirmuar nëse udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar, u vra në një sulm gjatë operacioneve në Rripin e Gazës.
“Gjatë operacioneve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit në Rripin e Gazës, tre terroristë u eliminuan. Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe ISA-ja janë duke e kontrolluar mundësinë që njëri prej terroristëve të ketë qenë Yahya Sinwar. Në këtë fazë, identiteti i terroristëve nuk mund të konfirmohet” – thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite, raporton televizioni CNN.
Sinwari është figura më domethënëse e Hamasit ende në arrati dhe Izraeli e konsideron atë “organizator” të sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit, që e nxitën pushtimin tokësor izraelit të Gazës.
Ai nuk është parë në publik që nga sulmet e Hamasit dhe mendohet se ka qenë duke u fshehur në rrjetin e gjerë të tuneleve në Gaza.