Ushtria izraelite e sulmon Gazën veriore – bombardimi më i rëndë në disa javë
Izraeli e bombardoi pjesën veriore të Gazës gjatë natës së kaluar. Këto ishin prej sulmeve më të rëndë në disa javë, duke shkaktuar panik në mesin e banorëve e duke bërë rrafsh me tokë lagje në një zonë ku ushtria izraelite e kishte zvogëluar numrin e trupave, thanë banorët të martën.
Tanket ushtarake bënë një depërtim të ri në lindje të Beit Hanoun-it, në skajin verior të Rripit të Gazës, edhe pse ato nuk hynë thellë në qytet, thanë banorët dhe mediat e Hamasit. Zjarri i armëve arriti te disa shkolla ku ishin duke u strehuar disa të zhvendosur, raporton agjencia “Reuters”.
Në Izrael, ku zyrat qeveritare dhe bizneset ishin të mbyllura për shkak të një feste hebraike, sirenat e alarmit për raketa u dëgjuan në qytezat kufitare jugore, edhe pse nuk u raportua për pasoja në njerëz.
Krahu i armatosur i Xhihadit Islam, grup aleat i Hamasit, e mori përgjegjësinë për sulmet me raketa ndaj vendbanimeve Sderot dhe Nir Am, duke lënë të kuptohej se luftëtarët ende kishin mundësi që t’i nisnin ato gati 200 ditë pas fillimit të luftës.
Nga kufiri jugor izraelit, tymi i zi dhe i dendur mund të shihej duke u ngritur në qiell në pjesën veriore të Gazës. Bombardimet ishin intensive në lindje të vendbanimeve Beit Hanoun dhe Jabalia dhe vazhduan të martën në mëngjes në zona si Zeitoun, njëra nga periferitë më të vjetra të qytetit Gaza. Banorët raportuan për të paktën dhjetë sulme brenda sekondash përgjatë rrugës kryesore.
Në perëndim të Beit Hanoun-it, në Beit Lahiya, mjekët dhe mediat e Hamasit thanë se sulmet kishin goditur një xhami dhe një turmë që ishte mbledhur në një rrugë bregdetare për të marrë ndihma të hedhura nga ajri. Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte menjëherë këto caqe.
“Ishte njëra nga ato netët e tmerrit që ne i kemi jetuar në fillim të luftës. Bombardimi nga tanket dhe aeroplanët nuk u ndal” – tha Um Mohammad, 53 vjeç, nënë e gjashtë fëmijëve që po banon 700 metra larg Zeitoun-it.
“M’u desh të grumbullohesha me fëmijët e mi e motrat e mia që erdhën për t’u strehuar me mua në një vend dhe të lutemi për jetën tonë, pasi shtëpia vazhdonte të dridhej. Nuk e di nëse do të dalim gjallë derisa të ndalet kjo luftë” – tha ajo agjencisë “Reuters”.
Ushtria izraelite tha se raketat e nisura gjatë natës drejt Izraelit kishin ardhur nga pozicionet e zjarrit në veri të Gazës. Forcat izraelite thanë se kishin goditur raketahedhës dhe kishin vrarë disa militantë gjatë natës përmes atyre që i quajtën sulme “me shënjestër dhe precize”.