Ushtarët izraelitë incizohen duke luajtur me të brendshme të grave të Gazës - NACIONALE

Ushtarët izraelitë incizohen duke luajtur me të brendshme të grave të Gazës

4 javë më parë

nga NACIONALE

Ushtarët izraelitë kanë publikuar fotografi dhe video të vetes duke luajtur me veshje të brendshme të grave që i kanë gjetur në shtëpi palestineze, duke formuar një pamje të çuditshme të luftës në Gaza, përderisa rreziku për vdekje nga uria po e shton vështrimin e vëmendshëm të botës ndaj ofensivës izraelite.

Një një video, një ushtar izraelit shihet ulur në një karrige në Gaza duke buzëqeshur, me armë në njërën dorë e me të brendshme të bardha të grave në dorën tjetër duke ia afruar te goja një ushtari tjetër që ishte shtrirë në kolltuk, raporton agjencia “Reuters”.

Në një vend tjetër, një ushtar shihet mbi një tank duke mbajtur një kukull femërore të veshur me sutjena të zeza dhe helmetë dhe dëgjohet duke thënë: “Gjeta një bashkëshorte të bukur, marrëdhënie serioze në Gaza, grua e mrekullueshme.”

Këto dy video të incizuara nga ushtarët izraelitë janë në mesin e dhjetëra postimeve në të cilat trupat në Gaza shihen duke shfaqur të brendshme, kukulla dhe, në disa raste, të dyja. Fotografitë me të brendshme janë shikuar me dhjetëra mijëra herë – gati gjysmë milioni herë në një rast – pasi janë ripublikuar nga Younis Tirawi, i cili veten e përshkruan si reporter palestinez.

Kur u kontaktua për fotografitë që i ka ripublikuar para më shumë se 100 mijë ndjekësve të tij në rrjetin X mes datave 23 shkurt e 1 mars, Tirawi i ofroi linqet e postimeve origjinale nga ushtarët izraelitë. Agjencia “Reuters” më pas në mënyrë të pavarur vërtetoi tetë postime në “Instagram” dhe “YouTube”.

“Publikimi i fotografive të tilla është poshtërues ndaj grave palestineze dhe ndaj të gjitha grave” – tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Zyrës për të Drejta të Njeriut në OKB.

Agjencia “Reuters” i dërgoi ushtrisë izraelite hollësi për tetë postimet e verifikuara në “YouTube” dhe “Instagram”, duke kërkuar koment. Si përgjigje, një zëdhënës dërgoi një deklaratë, në të cilën tha se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit hetojnë incidente që devijojnë nga urdhrat dhe vlerat e pritshme të ushtarëve izraelitë si dhe raportimet për videot e ngarkuara në rrjete sociale.

“Në rastet ku ngrihet dyshimi për shkelje kriminale që e justifikon hapjen e një hetimi, një hetim hapet nga Policia Ushtarake” – tha zëdhënësi i ushtrisë.

“Duhet të qartësohet se në disa prej rasteve të ekzaminuara, është konkluduar se shprehja ose sjellja e ushtarëve në video është e papërshtatshme dhe kjo trajtohet në përputhje me rrethanat” – shtoi ai.

Ushtria izraelite nuk tregoi nëse po i referohen ndonjërës prej fotografive të vëna në pah nga agjencia “Reuters” ose nëse ndaj ndonjë ushtari përgjegjës janë ndërmarrë masa disiplinore.

Ushtarët izraelitë që agjencia “Reuters” arriti t’i identifikonte nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, që iu dërguan përmes llogarive të tyre në rrjete sociale.

Lajme të ngjashme