Ukraina voton ligjin e ri, ndalon muzikën e librat ruse
Parlamenti i Ukrainës ka votuar në favor të ndalimit të një pjese të muzikës ruse në media dhe hapësira publike.
Por, sipas BBC-së, ndalimi nuk do të zbatohet për muzikën ruse në tërësi, por ka të bëjë me muzikën e krijuar ose të interpretuar nga ata që janë ose kanë qenë shtetas rusë pas vitit 1991.
Përjashtim nga ky ndalim mund të marrin edhe artistët që kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.
Përveç muzikës, sipas legjislacionit vendi do të ndalojë edhe importin e librave nga Rusia dhe Bjellorusia.
Kujtojmë se, shumë nga ata që jetojnë në zonat e Ukrainës lindore dhe jugore kanë ndier historikisht një lidhje të fortë me Rusinë, shpesh duke folur gjuhën ruse si gjuhën e tyre të parë, por pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që shumë ukrainas të duan të ndahen nga kultura ruse.
Projektligji, i miratuar nga deputetët të dielën, ndalon që një pjesë e muzikës ruse të luhet ose të interpretohet në televizion, radio, shkolla, transport publik, hotele, restorante, kinema dhe hapësira të tjera publike.
Dokumenti thotë se ndalimi "do të minimizojë rreziqet e propagandës së mundshme armiqësore përmes muzikës në Ukrainë dhe do të rrisë volumin e produkteve muzikore kombëtare në hapësirën kulturore", raporton BBC.
Ndalimi do të zbatohet për muzikantët që kanë ose kishin nënshtetësi ruse në çdo kohë pas vitit 1991 - viti kur Ukraina shpalli pavarësinë - me përjashtim të atyre që janë shtetas ukrainas ose ishin të tillë në kohën e vdekjes së tyre.
Kjo do të thotë se veprat e kompozitorëve rusë të vdekur prej kohësh si Çajkovski dhe Shostakovich mund të interpretohen ende.
Ndërkohë, në një projekt-ligj paralel me atë që prek muzikën, do të ndalohen gjithashtu edhe librat e importuar nga Rusia, Bjellorusia dhe territoret e okupuara të Ukrainës, si dhe materialet në gjuhën ruse të importuara nga vende të tjera.
Ky ligj po ashtu do të ndalojë botimin dhe shpërndarjen e librave të shkruar nga shtetas rusë (me përjashtime të ngjashme me ato të muzikës) megjithëse kjo nuk do të zbatohet për librat tashmë të botuar në Ukrainë.
Për më tepër, përkthimet e librave do të botohen vetëm në gjuhën ukrainase, në gjuhët zyrtare të BE-së ose në gjuhët indigjene ukrainase.