Ukraina thotë se sulmi rus ndaj Poltavës tregon se Putini s’do paqe
Një sulm rus gjatë natës që e goditi qytetin qendror ukrainas, Kremenchuk, dhe la qindra konsumatorë në rajonin Poltava pa furnizim me rrymë dëshmon se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do paqe, sipas zyrtarëve rajonalë ukrainas.
Gjatë një samiti në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, i tha homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, të hënën se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmonin garantimin e sigurisë së Ukrainës në çfarëdo marrëveshjeje të paqes për t’i dhënë luftës së Rusisë atje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pas takimit, Trumpi e telefonoi presidentin rus dhe filloi që të organizonte një takim mes Putinit e Zelenskyt.
“Mu në kohën e njëjtë, kur Putini po e siguronte Trumpin përmes telefonit se ai kërkon paqe dhe kur presidenti Volodymyr Zelensky po zhvillonte bisedime në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqës evropianë për paqe të drejtë, ushtria e Putinit kreu një sulm tjetër masiv në Kremenchuk” – tha Vitalii Maletskyi, kryetari i qytetit që shtrihet në rajonin Poltava.
Ai shtoi se dhjetëra shpërthime e drodhën qytetin. “Edhe një herë, bota ka parë se Putini nuk do paqe – ai dëshiron që ta shkatërrojë Ukrainën” – tha Maletskyi.
Shkalla e sulmit nuk ishte e qartë. Forca Ajrore e Ukrainës tha gjatë natës së kaluar se rajoni qendror ukrainas ishte nën rrezikun e një sulmi me raketa me drejtim.
Guvernatori i rajonit Poltava, Volodymyr Kohut, tha se nga sulmi u dëmtuan ndërtesa administrative të një qendre lokale të infrastrukturës së energjisë. “Fatmirësisht, nuk pati viktima” – shkroi ai në rrjetin “Telegram”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Rusia. Të dyja palët e kanë vënë në shënjestër infrastrukturën e rëndësishme për ushtrinë gjatë sulmeve të tyre në luftë, përfshirë infrastrukturën energjetike.
Rusia tha të martën se sulmi ukrainas me dronë gjatë natës shkaktoi zjarre në një rafineri nafte dhe në kulmin e një spitali në rajonin Volgograd./Nacionale