Ukraina thotë se s’ka parë shenja të grumbullimit ushtarak në kufi me Bjellorusinë
Ukraina tha të hënën se nuk kishte parë ndonjë shenjë të grumbullimit të forcave bjelloruse afër kufirit, duke rënë në kundërshtim me një deklaratë nga Minsku që thoshte se më shumë trupa ishin dërguar në zonën kufitare.
“Në disa ditë të fundit, ne nuk kemi regjistruar ndonjë lëvizje ose grumbullim të forcave bjelloruse, [përfshirë] njësiteve, pajisjeve e personelit të ndryshëm afër kufirit tonë” – tha Andriy Demchenko, zëdhënës i shërbimit të rojës kufitare, raporton agjencia “Reuters”.
Bjellorusia, aleate e ngushtë e Kremlinit që kufizohet me pjesën veriore të Ukrainës, tha të shtunën se do të dërgonte trupa për ta përforcuar kufirin me Ukrainën, pasi e akuzoi Kievin për shkelje të hapësirës së saj ajrore me dronë.
Një grumbullim i forcave bjelloruse në kufi do të nënkuptonte rrezik potencial të cilit Ukraina mund të ndihet e detyruar për t’iu kundërpërgjigjur përmes devijimit të forcave edhe ashtu me mungesa për ta përforcuar zonën në një moment të tensionuar përgjatë kufirit verior të Ukrainës me Rusinë.
Gati dy vjet e gjysmë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Ukraina nisi një sulm të befasishëm matanë kufirit, brenda rajonit Kursk të Rusisë, javën e kaluar. Rusia tha të hënën se kishte aktivitet të shtuar ushtarak ukrainas edhe afër rajonit tjetër rus, Belgorod.
Demchenko tha në komentet e transmetuara në televizion se Bjellorusia e kishte bërë deklaratën për një grumbullim ushtarak “për të luajtur bashkë me Rusinë” që të kontribuojë në një fushatë informimi që të mundohet t’i bëjë presion Ukrainës.
“Sipas të gjitha gjasave, ata do të detyrohen që të... lëvizin pajisje dhe personel, ndoshta në shifra të vogla, me qëllim që ta krijojnë përshtypjen që kjo është duke ndodhur. Sipas të gjitha gjasave, nëse kjo do të ndodhë ose është duke ndodhur, do të jetë më thellë brenda territorit bjellorus” – shtoi zëdhënësi ukrainas.