Ukraina thotë se Rusia e sulmoi me raketa Kievin - NACIONALE

Ukraina thotë se Rusia e sulmoi me raketa Kievin

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia e sulmoi me raketa kryeqytetin ukrainas, Kiev, të hënën herët, përderisa mbetjet nga armët e rrëzuara lënduan të paktën dy persona, duke shkaktuar zjarre e duke dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturën, thanë zyrtarët.

Njësitet ukrainase të mbrojtjes ajrore shkatërruan më shumë se dhjetë raketa me drejtim dhe gati 10 raketa të tjera balistike, tha administrata ushtarake e Kievit në rrjetin “Telegram”, raporton agjencia “Reuters”.

Alarmi për sulme ajrore u aktivizua në pjesë të ndryshme të Ukrainës për gati dy orë para se forca ajrore të deklaronte se qielli ishte i pastër në orën 3 e 30 të mëngjesit. Polonia, anëtare e NATO-s dhe fqinje e Ukrainës, i aktivizoi aeroplanët e vet dhe të aleatëve për ta mbajtur të sigurt hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve mbi territorin ukrainas.

Një dhomë për valimin e ujit në një fabrikë për përpunimin e ujit në Kiev u dëmtua pjesërisht, njësoj si edhe hyrja e një stacioni të metrosë që shërben si strehim kundër bombave në distriktin Svyatoshynksyi, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

Sipas tij, nga sulmi u lënduan të paktën katër persona. Disa vetura u kapluan nga zjarri në pjesë të ndryshme të qytetit. Flaka përfshiu edhe një ndërtesë jo banimi në distriktin Shevchenkivskyi, shtoi kryetari i kryeqytetit ukrainas.

Shërbimet emergjente gjithashtu shkuan në distriktet Svyatoshynksyi, Holosiivskyi dhe Solomyanskyi, ku mbetjet ranë nga raketat e shkatërrua, bëri të ditur Klitschko.

Dëshmitarët e agjencisë “Reuters” në Kiev dëgjuan një varg shpërthimesh të forta në atë që tingëllonte si punë e njësiteve të mbrojtjes ajrore, disa prej tyre në zonën qendrore.

Ky sulm ndodhi saktësisht një javë pasi Moska hodhi më shumë se 200 raketa e dronë drejt Ukrainës, duke vrarë shtatë persona dhe duke goditur objekte energjetike në pjesë të ndryshme të vendit.

Lajme të ngjashme