Ukraina thotë se rusët kanë kapur dhjetëra civilë në Vovchansk
Forcat ruse kanë kapur dhjetëra civilë në qytezën kufitare ukrainase, Vovchansk, tha një zyrtar ukrainas. Komandanti i policisë lokale i akuzoi forcat armike se po i përdorin personat e kapur si “mburojë njerëzore”.
Rusia e ka ashpërsuar ofensivën në veri të Ukrainës. Javën e kaluar, forcat ruse e nisën operacionin më të befasishëm gjatë luftës, duke e kaluar kufirin verior në përpjekje të reja për ta marrë qytetin e dytë më të madh ukrainas, Kharkiv, raporton televizioni CNN.
Qyteza Vovchansk shtrihet në rajonin verior të Kharkivit dhe është ballafaquar me sulme. Forcat ruse pretendojnë se kanë marrë nën kontroll disa fshatra në atë zonë, duke i detyruar civilët që të ikin.
Serhii Bolvinov, drejtor i departamentit të hetimeve në policinë rajonale të Kharkivit, i tha të premten televizionit publik se ushtarët rusë kishin mbajtur rreth 40 civilë në një bodrum, afër “selisë qendrore të komandës” së tyre.
Civilët po merren në pyetje dhe “ata që po e bëjnë marrjen në pyetje e quajnë veten punëtorë të FSB-së”, tha Bolvinovi, duke iu referuar agjencisë ruse për inteligjencë të brendshme dhe duke shtuar se civilët po përdoren si “mburoja njerëzore”.
Sipas zyrtarit ukrainas, shumica e personave të kapur janë të moshuar që “nuk donin të evakuoheshin deri krejt në fund” dhe u kapën kur më në fund kishin vendosur që të largoheshin në territore të kontrolluara nga forcat ukrainase.
Bolvinovi më tej tha se një banor i moshuar i qytezës Vovchansk u vra nga ushtarët rusë pas refuzimit të urdhrave të tyre dhe pas përpjekjet për të ikur në këmbë.
Hollësitë dolën në pah një ditë pasi ministri i Punëve të Brendshme i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se rusët po marrin peng civilë në veri të Vovchanskut.
Televizioni CNN nuk ka mundësi që në mënyrë të pavarur t’i vërtetojë pretendimet e Bolvinovit dhe e ka kontaktuar Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë për koment. Rusia nuk e ka komentuar akuzën se trupat e saj po përdorin civilë si mburojë njerëzore ose se po i shënjestrojnë ata që po mundohen të ikin.