Ukraina thotë se ka goditur për herë të parë një nëndetëse ruse me dron nënujor - NACIONALE

Ukraina thotë se ka goditur për herë të parë një nëndetëse ruse me dron nënujor

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Shërbimi ukrainas për siguri të brendshme, SBU, tha të hënën se kishte kryer një sulm ndaj një nëndetëseje ruse në portin e Detit të Zi, Novorossiysk, duke i shkaktuar dëm kritik dhe praktikisht duke e bërë të papërdorshme.

Në një deklaratë, SBU-ja tha se operacioni, në të cilin u përdorën dronë nënujorë, ishte i pari sulm i këtij lloji. Në një video të publikuar nga SBU-ja shihet një shpërthim i madh në një port, raporton televizioni CNN.

“Si rezultat i shpërthimit, nëndetësja pësoi dëm kritik dhe praktikisht u nxor nga funksioni” – tha SBU-ja. Televizioni CNN nuk ka mundur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Rusia pranoi se sulmi ukrainas ndodhi, por tha se ai dështoi dhe se asnjë anije apo nëndetëse nuk është dëmtuar.

“Përpjekja e armikut për të kryer sabotim duke përdorur një mjet nënujor pa pilot dështoi që t’i arrinte qëllimet e veta” – citohet të ketë thënë Alexei Rulev, shef i shërbimit për shtyp në Flotën e Detit të Zi. Ai i mohoi raportimet ukrainase se një nëndetëse ishte shkatërruar në bazën detare në Novorossiysk, raportuan mediat ruse.

Lajme të ngjashme