Ukraina thotë se forcat e saj po i dëbojnë rusët nga pozicionet jugore - NACIONALE

Ukraina thotë se forcat e saj po i dëbojnë rusët nga pozicionet jugore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gjeneral i lartë i ushtrisë ukrainase ka raportuar për përparim të ri në frontin jugor të luftës, duke thënë se trupat e tij në mënyrë sistematike po i largojnë forcat e armikut nga pozicionet e tyre.

Gjenerali Oleksander Tarnavskyi, komandant i forcave ukrainase në jug, tha të shtunën në rrjetin “Telegram” se humbjet e armikut për 24 orët e kaluara ishin të barabarta me të paktën 200 ushtarë, raporton agjencia “Reuters”.

Komentet e tij erdhën pas vlerësimeve të analistëve ushtarakë ukrainas se gjërat nuk ishin të lehta për forcat ukrainase gjatë përpjekjes së tyre për të përparuar në jug, përcjell gazeta “The Guardian”.

Ushtria ukrainase është përqendruar në kapjen e disa fshatrave në juglindje të vendit, në misionin drejt Detit të Azovit dhe zonave afër qytetit lindor, Bakhmut, që u mor nën kontroll nga forcat ruse në maj pas luftimeve që zgjatën disa muaj.

Në anën tjetër, rusët kanë pretenduar se i kanë zmbrapsur sulmet e forcave ukrainase në rajonin lindor të Donetskut, përfshirë zonën përreth qytetit Bakhmut.

Në adresimin e zakonshëm të mbrëmjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas një takimi me komandantë të lartë të ushtrisë së vendit të tij, tha: “Ne të gjithë duhet të kuptojmë shumë qartë, sa më qartë që është e mundshme, se forcat ruse në tokat tona jugore e lindore janë duke bërë gjithçka që munden me qëllim që t’i ndalin ushtarët tanë dhe për çdo mijëra metra që përparojmë, çdo sukses i secilës brigadë luftuese e meriton mirënjohjen tonë.”

Analisti ushtarak, Serhiy Hrabskyi, tha në Radion NV se në jug, situata ishte shumë e vështirë për të përparuar drejt Berdianskut, duke iu referuar një portin në Detin e Azovit. Forcat ukrainase po shpresojnë që të shkëputin një urë tokësore që ushtria ruse e kishte siguruar përmes aneksimit të Gadishullit të Krimesë.

Lajme të ngjashme