Ukraina raporton për tre të vrarë e 10 të plagosur nga sulmi raketor rus në rajonin Kharkiv - NACIONALE

Ukraina raporton për tre të vrarë e 10 të plagosur nga sulmi raketor rus në rajonin Kharkiv

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm raketor rus ndaj qytetit lindor ukrainas, Balakliia, la të vrarë tre njerëz, ndërsa tre adoleshentë ishin në mesin e dhjetë të plagosurve, thanë të hënën zyrtarët rajonalë në Kharkiv.

Sulmi që u krye natën dëmtoi blloqe shumëkatëshe banesore dhe shkatërroi shumë veture në qendrën e qytetit, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori i rajonit që kufizohet me Rusinë, Oleh Synehubov, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një fotografi e publikuar nga autoritetet rajonale e shfaqte fasadën e dëmtuar të një ndërtese shumëkatëshe me dritare të thyera, përderisa në katet e sipërme shihej zjarr e në tokë kishte mbetje e degë të thyera të drurëve.

Vitali Karabanov, drejtor i administratës ushtarake në Balakliia, tha se në mesin e të lënduarve kishte adoleshentë, ndërsa nëntë prej të plagosurve u pranuan në spital.

Rusia nuk bëri komente të menjëhershme për sulmin. Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur komentet e zyrtarit ukrainas.

Forcat ruse kanë kryer sulme të rregullta me raketa, dronë e artileri ndaj qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, duke goditur shtëpi e infrastrukturë, duke i dëmtuar linjat e energjisë e duke i bërë banorët subjekt të alarmeve të vazhdueshme për sulme ajrore.

Të dyja palët mohojnë se i vënë në shënjestër civilët në luftën që Rusia e nisi para gati katër vjetëve, por mijëra janë vrarë në konflikt – shumica dërrmuese ukrainas.

Disa pjesë të rajonit Kharkiv dhe qyteti Izyum në jug nuk kishin rrymë gjatë natës./Nacionale

Lajme të ngjashme