Ukraina nis hetim kundër ministrit të Mbrojtjes, Rustem Umerov
Hetuesit ukrainas kanë hapur një rast penal në të cilin është përfshirë edhe ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, veprim që pritet të thellojë një përplasje në ministrinë e tij rreth blerjes së armëve që mund t’i tensionojë marrëdhëniet e Ukrainës me aleatë të rëndësishëm perëndimorë.
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” në një deklaratë se hetimi i saj, i kërkuar nga një organ kundër korrupsionit, do të ekzaminojë nëse ka pasur abuzim të autoritetit nga ministri Umerov, por dha pak hollësi të tjera.
Organi që e ka kërkuar hetimin ndaj ministrit, Qendra e Veprimit Kundër Korrupsionit, e ka akuzuar Umerovin se ka vepruar në mënyrë të paligjshme përmes vendosjes në margjina të drejtoreshës së Agjencisë për Prokurimin e Mbrojtjes, kontratën e të cilës Umerovi po refuzon që ta vazhdojë, pasi e kishte kritikuar punën e agjencisë.
Umerovi tha javën e kaluar se Agjencia për Prokurimin e Mbrojtjes, e cila i bashkërendon blerjet e armëve, kishte dështuar që të sillte rezultate për forcat ukrainase. Këto komente e nxorën në shesh përplasjen e brendshme të ministrisë rreth blerjeve.
“Pavarësisht nga shkalla e reklamuar e prokurimit, mbrojtësit tanë në vijat e frontit nuk e kanë përjetuar ndikimin e tij të prekshëm” – shkroi ai në rrjetin “Facebook”.
Mosmarrëveshja vjen në një kohë kritike në luftën me Rusinë, përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, e rishikon mbështetjen e ShBA-së për ushtrinë ukrainase dhe Kievi po mundohet që t’i bindë partnerët perëndimorë se është duke e fituar betejën kundër korrupsionit endemik.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, diplomatët në Ukrainë që i përfaqësojnë shtetet e Grupit G7 u bënë thirrje zyrtarëve që ta zgjidhnin shpejt mosmarrëveshjen./Nacionale/Nasuf Abdyli