Ukraina kërkon nga Brazili që ta arrestojë Putinin, nëse ai merr pjesë në samitin e G20-ës
Kryeprokurori ukrainas tha se ai ka pranuar të dhëna të inteligjencës që tregojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të marrë pjesë në samitin e Grupit G20 në Brazil muajin e ardhshëm, dhe iu bëri thirrje autoriteteve atje që të zbatojnë një urdhërarrest, nëse kreu i Kremlinit paraqitet.
Gjykata Ndërkombëtare Penale [GjNP] në Hagë lëshoi një urdhërarrest për Putinin në mars të vitit 2023, pak më shumë se një vit pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, duke e akuzuar për krimin e luftës – dëbimin e fëmijëve, raporton agjencia “Reuters”.
Kur u pyet nëse ishte marrë një vendim për atë nëse Putini do të marrë pjesë në takimin e 20 ekonomive udhëheqëse të botës, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarëve të hënën iu tha: “Jo. Kur të merret një vendim, do t’jua bëjmë të ditur.”
Kryeprokurori i Ukrainës, Andriy Kostin, i tha agjencisë “Reuters” në një intervistë se “është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë i bashkuar dhe ta mbajë Putinin përgjegjës”.
“Për shkak të “të dhënave se Putini mund të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Brazil, unë do të doja të ritheksoj se është detyrim për autoritetet braziliane si palë shtet e Statutit të Romës që ta arrestojnë atë, nëse ai guxon që ta vizitojë [Brazilin]” – tha Kostini, duke iu referuar traktatit me të cilin është themeluar GjNP-ja.
“Unë vërtet shpresoj që Brazili do ta arrestojë atë, duke e riafirmuar statusin e vet si demokraci dhe si shtet i qeverisur nga sundimi i ligjit” – shtoi ai.
Sipas tij, dështimi për ta bërë këtë rrezikon që të vendosë një precedent sipas të cilit udhëheqësit e akuzuar për krime mund të udhëtojnë pa u ndëshkuar.
Brazili i dërgoi Putinit ftesë standarde për takimet e 18 dhe 19 nëntorit në Rio de Janeiro për samitin e G20-ës, por nuk ka marrë ndonjë shenjë se ai planifikon që të marrë pjesë, sipas dy zyrtarëve qeveritar në Brazil.
Zyra e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale refuzoi që të komentonte.
Një zëdhënës i gjykatës ritheksoi se ajo mbështetet te shtetet anëtare dhe në partnerë të tjerë për ekzekutimin e vendimeve të saj, përfshirë urdhërarrestet. Shtetet anëtare "e kanë detyrimin për të bashkëpunuar në përputhje me" traktatin themeltar të gjykatës”, tha zëdhënësi Fadi El Abdallah./Nacionale