Ukraina humb edhe një qytet, i tërheq trupat nga Siversku - NACIONALE

Ukraina humb edhe një qytet, i tërheq trupat nga Siversku

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Trupat ukrainase janë tërhequr nga qyteti lindor Siversk, përderisa Rusia po e vazhdon avancimin e ngadalshëm, por të vazhdueshëm.

Ushtria ukrainase tha të martën se veproi kështu “për ta ruajtur jetën e ushtarëve tanë dhe kapacitetin luftarak të njësiteve”, duke shtuar se forcat ruse kishin “epërsi domethënëse në fuqinë njerëzore”, raporton televizioni BBC.

Kapja e Siverskut e sjell Rusinë më afër qyteteve të fundit të “rripit të kalasë”, Sloviansk e Kramatorsk që janë ende nën kontrollin e ushtrisë ukrainase në rajonin industrial të Donetskut.

Në një deklaratë, ushtria ukrainase tha se trupat ruse po i vazhdonin “aksionet aktive të ofensivës” në rajonin e Siverskut “pavarësisht humbjeve të konsiderueshme”.

Më tej, aty thuhet se “forcat mbrojtëse [të Ukrainës] e kanë dërrmuar armikun gjatë luftimeve për Siverskun”.

Para fillimit të pushtimit rus, në Siversk jetonin rreth 11 mijë njerëz. Rusia para dy javësh kishte pretenduar se e kishte marrë nën kontroll këtë vendbanim, por Ukraina e kishte mohuar këtë gjë.

Forcat ruse tani për tani kanë nën kontroll rreth 75 për qind të rajonit të Donetskut dhe 99 për qind të Luhanskut fqinj. Këto dy rajone njihen bashkë si Donbas.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar vazhdimisht se trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga Donbasi ose Rusia do ta kapë këtë rajon, duke i refuzuar kompromiset për përfundimin e luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka qenë nën presion të madh nga homologu amerikan, Donald Trump, për t’ia dorëzuar tërë Donbasin Rusisë gjatë bisedimeve të paqes të udhëhequra nga Uashingtoni.

Zelensky deri më tani i ka refuzuar koncesionet territoriale dhe ka kërkuar garanci të forta të sigurisë për vendin e tij si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme të paqes./Nacionale

Lajme të ngjashme