Ukraina goditi më pak aeroplanë rusë sesa që vlerësoi Zelensky, thonë zyrtarë amerikanë - NACIONALE

Ukraina goditi më pak aeroplanë rusë sesa që vlerësoi Zelensky, thonë zyrtarë amerikanë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se sulmi ukrainas me dronë gjatë fundjavës së kaluar goditi rreth 20 aeroplanë luftarakë rusë, duke shkatërruar rreth 10 prej tyre, i thanë dy zyrtarë amerikanë agjencisë së lajmeve “Reuters”, numër rreth përgjysmë më i vogël se shifra e paraqitur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Prapëseprapë, zyrtarët amerikanë e cilësuan sulmin si shumë domethënës. Njëri prej tyre paralajmëroi se ky sulm mund ta vendosë Moskën në një pozitë shumë më të ashpër negociuese në bisedimet e ndërmjetësuara nga ShBA-ja për t’i dhënë fund luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha homologut amerikan, Donald Trump, gjatë një bisede telefonike të mërkurën se Moska do të jetë e detyruar që t’i kundërpërgjigjet sulmit ukrainas, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjete sociale.

Trumpi shtoi se “ishte një bisedë e mirë, por jo një bisedë që do të çojë në paqe të menjëhershme”.

Ukraina thotë se vuri në shënjestër katër baza ajrore në pjesë të ndryshme të Rusisë duke përdorur 117 dronë të lëshuar nga kontejnerë afër caqeve, në një operacion që iu la emri “Rrjeta e Merimangës”.

Të mërkurën, Ukraina publikoi pamje të dronëve të saj duke goditur bombardues strategjikë të Rusisë duke u lëshuar në antenat e dy aeroplanëve spiunë ushtarakë të tipit A-50, prej të cilëve Rusia ka një numër të vogël.

Dy zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, vlerësuan se nga sulmet ukrainase u shkatërruan rreth dhjetë, ndërsa u goditën deri në 20 aeroplanë luftarakë gjithsej.

Ky vlerësim është shumë më i ulët se numri që Zelensky e kishte thënë para gazetarëve në Kiev të mërkurën. Ai tha se gjysma e 41 aeroplanëve të goditur ishin tepër të dëmtuar për t’u riparuar.

Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur numrat e ofruar nga Ukraina ose Shtetet e Bashkuara./Nacionale

Lajme të ngjashme