Ukraina godet një rafineri të madhe ruse 1.300 kilometra larg vijës së frontit
Ukraina të martën e goditi me dron njërën nga rafineritë më të mëdha të Rusisë, 1.300 kilometra larg vijës së frontit, dhe tha se kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm ndaj një caku ushtarak.
Dronët ukrainas sulmuan caqe në Tatarstan, rajon shumë i industrializuar në juglindje të Moskës, në orët e hershme të së martës dhe disa persona u lënduan, tha guvernatori rajonal, Rustam Minnikhanov, raporton agjencia “Reuters”.
Sistemet ruse të mbrojtjes elektronike luftarake penguan një dron ukrainas afër rafinerisë “Taneco” të kompanisë “Tatneft”, në qytetin Nizhnekamsk, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, RIA.
Një zjarr shpërtheu në rafineri, por u fik brenda 20 minutave, ndërsa prodhimi nuk është penguar, shtoi kjo agjenci.
Ky ishte njëri nga sulmet më të thella të Ukrainës brenda territorit rus.
Rafineria e naftës “Taneco” është njëra nga më të mëdhatë dhe më të rejat në Rusi. Kapaciteti prodhues i saj është rreth 360 mijë fuçi nafte në ditë.
Minnikhanovi tha se ndërmarrjet në Yelabuga dhe në Inzhnekams u slumuan.
Dy dronë sulmuan një konvikt në territorin e Zonës së Posaçme Ekonomike “Alabuga”. Të paktën shtatë persona u lënduan, raportuan mediat ruse.
“Nuk ka dëm serioz, procesi teknologjik i ndërmarrjeve nuk është penguar” – tha guvernatori Minnikhanov.
Në pamje të pavërtetuara në rrjete sociale shfaqet një shpërthim i fortë, ndërsa disa njerëz shihen duke vrapuar për të kërkuar strehim.
Gazeta amerikane “The Washington Post” raportoi vitin e kaluar se Rusia ishte duke prodhuar në sasi masive dronë në një fabrikë të zonës ekonomike që u sulmua nga Ukraina.
Një burim ukrainas i inteligjencës i tha agjencisë “Reuters” në Kiev se është bërë “dëm i konsiderueshëm” ndaj një caku ushtarak në rajonin Tatastan të Rusisë përmes një sulmi me dronë të prodhimit ukrainas.