Ukraina e njofton Sllovakinë se s’do ta vazhdojë paktin për transitin e gazit rus - NACIONALE

Ukraina e njofton Sllovakinë se s’do ta vazhdojë paktin për transitin e gazit rus

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ukraina nuk do ta vazhdojë marrëveshjen për transitin e gazit me Rusinë, pas skadimit të saj në fund të këtij viti, i tha të hënën kryeministrit sllovak, Robert Fico, homologu i tij ukrainas, Denys Shmyhal.

Dy udhëheqësit e qeverive zhvilluan bisedime në Uzhhorod, në pjesën perëndimore të Ukrainës, dhe, sipas një zyrtari ukrainas, u përqendruan te bashkëpunimi në infrastrukturë, siguri të energjisë dhe përkrahjen për planin e Kievit për paqe, raporton agjencia “Reuters”.

“Ukraina edhe një herë thotë se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen e transitit me Rusinë, pasi ajo të ketë skaduar. Qëllimi strategjik i Ukrainës është që ta privojë Kremlinin nga përfitimet nga shitja e hidrokarbureve, të cilat agresori i shfrytëzon për ta financuar luftën” – tha ukrainasi Shmyhal në një konferencë për gazetarë bashkë me homologun sllovak.

Sllovakia, anëtare e NATO-s dhe e BE-së dhe që kufizohet me Ukrainën, e kundërshton pranimin e Kievit në aleancën ushtarake, por ka interesim të fuqishëm në mbajtjen e transitit të naftës dhe gazit nga Rusia drejt perëndimit përmes territorit të Ukrainës.

Blerësi shtetëror sllovak i gazit, SPP, tha këtë muaj se do t’i vazhdonte bisedimet për të siguruar zgjatje të marrëveshjes për transitin e gazit nëpër Ukrainë pas skadimit të kontratës mes Kievit dhe kompanisë “Gazprom” nga Rusia në fund të vitit.

Kryeministri ukrainas gjithashtu tha se Kievi e kupton “varësinë akute” të disa shteteve, përfshirë Sllovakinë, nga furnizimi me gazin rus, por është duke llogaritur në diversifikimin gradual të dërgesave.

Ai shtoi se Ukraina dhe Sllovakia ishin pajtuar për ndërtimin e një qendre të energjisë për Evropën Lindore, qëllimi i së cilës do të jetë shfrytëzimi i objekteve të mëdha ukrainase për ruajtjen e gazit./Nacionale

Lajme të ngjashme