Ukraina e kryen njërin nga sulmet më të mëdha me dronë në Moskë
Ukraina e sulmoi Moskën të mërkurën me të paktën 11 dronë që u rrëzuan nga mbrojtja ajrore. Zyrtarët rusë thanë se ky ishte njëri prej sulmeve më të mëdha me dronë ndaj kryeqytetit rus që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte shkatërruar gjithsej 45 dronë mbi territorin rus, përfshirë 11 në rajonin e Moskës, 23 në rajonin e Brianskut, gjashtë në rajonin e Belgorodit, tre në rajonin e Kalugas dhe dy në rajonin e Kurskut, raporton agjencia “Reuters”.
Disa prej dronëve u shkatërruan në qiellin e qytetit Podolsk, tha kryetari i Moskës, Sergei Sobuanin. Ky qytet në rajonin e Moskës ndodhet rreth 38 kilometra në jug të Kremlinit.
“Kjo është njëra nga përpjekjet më të mëdha për ta sulmuar Moskën ndonjëherë duke përdorur dronë. Mbrojtja me shtresa e Moskës, që ishte krijuar, e bëri të mundshme sprapsjen e suksesshme të të gjitha sulmeve nga dronët e armikut” – shkroi në rrjetin “Telegram” kryetari i Moskës.
Ky sulm vjen në kohën kur Rusia është duke avancuar në pjesën lindore të Ukrainës, ku ka nën kontroll të rreth 18 për qind të territorit të vendit, dhe po lufton kundër operacionit ukrainas në rajonin rus të Kurskut, sulmi më i madh nga jashtë ndaj territorit rus që nga Lufta e Dytë Botërore.