Ukraina e dënon me burgim të përjetshëm për vrasje ushtarin rus, Dmytro Kurashov - NACIONALE

Ukraina e dënon me burgim të përjetshëm për vrasje ushtarin rus, Dmytro Kurashov

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë ukrainase të enjten dënoi me burgim të përjetshëm një ushtar rus, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e një të burgosuri ukrainas të luftës. Kjo është hera e parë që Ukraina dënon një të akuzuar për akuza të tilla.

Gjykata në qytetin Zaporizhia e shpalli 27-vjeçarin Dmitry Kurashov fajtor për vrasjen e ushtarit ukrainas, Vitalii Hodniuk, i cili ishte dorëzuar në janarin e vitit 2024, kur gropa ku ndodhej ishte kapur nga forcat ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kurashovi, i cili ishte burgosur nga forcat ukrainase bashkë me ushtarë të tjerë rusë pak kohë pas incidentit, u deklarua fajtor në gjykatë, edhe pse më vonë u tha gazetarëve se ishte i pafajshëm dhe donte që të lirohej përmes shkëmbimit të të burgosurve.

Ai i tha agjencisë “Reuters” se nuk planifikon që ta apelojë vendimin. Dënimi i tij bart peshë simbolike për Ukrainën, e cila thotë se forcat ruse kanë ekzekutuar shumë të burgosur ukrainas të luftës.

Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, i mohon akuzat se trupat e saj kryejnë krime lufte.

Misioni Vëzhgues i të Drejtave të Njeriut i OKB-së tha në shkurt se kishte regjistruar “rritje alarmante” të ekzekutimeve të raportuara të ushtarëve ukrainas të kapur nga forcat ruse në muajt paraprakë.

E drejta ndërkombëtare humanitare e ndalon ekzekutimin e të burgosurve dhe të të plagosurve të luftës dhe e cilëson këtë akt si krim lufte.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës i tha agjencisë “Reuters” se ishin duke u zhvilluar hetime penale për vrasjen e 322 ushtarëve ukrainas, të cilët i kishin ulur armët pa kushte ose ishin dorëzuar që nga fillimi i luftës./Nacionale

Lajme të ngjashme