Ukraina e akuzon për ryshfet ish-kryeministren Yulia Tymoshenko - NACIONALE

Ukraina e akuzon për ryshfet ish-kryeministren Yulia Tymoshenko

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Hetuesit ukrainas kundër korrupsionit të mërkurën e akuzuan ish-kryeministren Yulia Tymoshenko për ryshfet, nën dyshimin për drejtimin e një skeme për blerjen e votave, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” një burim që kishte njohuri për çështjen.

Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) tha se kishte ngritur akuza për ryshfet ndaj një drejtuesi të një partie opozitare pas shpërfaqjes se disa ligjvënësve të tjerë muajin e kaluar si pjesëtarë të një komploti “sistematik” për marrjen e pagesave në këmbim të votave.

Edhe pse Byroja nuk e identifikoi zonjën Tymoshenko me emër, një burim i afërt me çështjen i tha agjencisë “Reuters” se ajo është subjekt i hetimit.

Tymoshenko, e cila u ngrit para dy dekadash si udhëheqëse e Revolucionit të Portokalltë pro demokracisë, i mohoi “të gjitha akuzat”, por nuk foli në mënyrë specifike për këtë hetim.

Përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin “Facebook”, Tymoshenko u zotua se do ta pastrojë emrin e vet në gjykatë.

Luftimi i korrupsionit është jetik për përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

NABU-ja dhe prokurorët kundër korrupsionit i shokuan ukrainasit në nëntor përmes zbulimit të një skeme të dyshuar pagesash prej 100 milionë dollarësh në sektorin e energjisë, ku përfshihej një ish-bashkëpunëtor i presidentit Volodymyr Zelensky.

Tymoshenko kishte shërbyer si kryeministre e Ukrainës më 2005 e pastaj përsëri në periudhën 2007 – 2010. Ndikimi politik i saj viteve të fundit është dobësuar dukshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme