Ukraina alarmon për pasoja serioze pas dështimit të Senatit të ShBA-së për ndihma
Dështimi i vazhdueshëm i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të siguruar një pako financimi për Ukrainën me miratimin e Senatit do të ketë pasoja reale në aspektin e jetës në fushën e betejës dhe në aftësinë e Kievit për t’i sprapsur forcat ruse në vijën e frontit, thonë zyrtarët ukrainas.
Lëvizja e fundit nga senatorët republikanë që të rrëzojnë një projektligj dypartiak, me të cilin do të ndaheshin 60 miliardë dollarë për ndihma për Ukrainën e disa miliardë të tjerë për Izraelin e do të shtohej siguria në kufirin e ShBA-së me Meksikën, është goditje e rëndë për Kievin. Ky zhvillim mund të sinjalizojë një vit shumë të zymtë, përderisa agjenda politike në ShBA po futet në një vit zgjedhor e kur Donald Trumpi pothuajse me siguri do të jetë kandidati i republikanëve për president, raporton gazeta “The Guardian”.
Përderisa po afrohet dyvjetori i fillimit të luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë, zyrtarët ukrainas thonë se vonesa e përkrahjes amerikane tashmë ka pasur një ndikim të qartë në fushën e betejës, ku trupat e dërrmuara ukrainase kanë mungesë të madhe të pajisjeve në krahasim me rusët.
Ndihmësi i presidentit Volodymyr Zelensky të Ukrainës, Mykhailo Podolyak, tha se trupat ruse janë duke përdorur rreth 10 mijë predha artilerie në ditë përgjatë vijës së frontit, ndërsa ushtarët ukrainas janë të kufizuar për të përdorur vetëm mes 1.500 e 2.500 predha si kundërpërgjigje. Sipas tij, mungesa e pajisjeve e bën të pamundshëm planifikimin afatgjatë.
“Nëse ke të kuptuar të qartë se në tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm do të kesh një numër të caktuar të raketave me rreze të gjatë, për shembull, mund të planifikosh se cilat caqe të infrastrukturës t’i godasësh në territoret e pushtuara. E kur ulesh këtu sot me mungesë e me paqartësi, mund të luftosh vetëm një luftë mbrojtëse dhe kjo është nxitje për Rusinë” – tha zyrtari ukrainas në një intervistë në Kiev.
Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, shprehu tërthorazi zemërim për shkak të ngecjes së pakos mbështetëse të mërkurën, duke theksuar se gjatë natës në Ukrainë ndodhi një sulm masiv rus me raketa. “Nuk ka kohë për të humbur. Ukraina ka nevojë për asistencën tonë të sigurisë tash” – shkroi ajo në rrjetin X.