Uganda e konfirmon përhapjen e virusit Ebola në kryeqytet, një i vdekur
Uganda e ka konfirmuar përhapjen e virusit Ebola në kryeqytetin Kampala. Pacienti i parë i konfirmuar me këtë sëmundje vdiq të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë të enjten.
Pacienti, infermier në spitalin Mulago në kryeqytet, fillimisht kishte kërkuar trajtim në disa qendra, përfshirë Mulagon, para se të përjetonte simptoma të ngjashme me ethet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Pacienti përjetoi dështim të shumë organeve dhe u mposht nga sëmundja në Spitalin Kombëtar Referues të Mulagos më 29 janar. Mostrat pas vdekjes e konfirmuan sëmundjen e virusit Ebola Sudan”, tha ministria.
Ethet hemorragjike shumë ngjitëse transmetohen përmes kontaktit me lëngje trupore dhe inde të infektuara. Në mesin e simptomave përfshihen dhimbja e kokës, vjellja me gjak, dhimbjet muskulore dhe gjakderdhja.
Uganda për herë të fundit ishte ballafaquar me përhapje të Ebolës në fund të vitit 2022 dhe përhapja ishte shpallur e përfunduar më 11 janar 2023.
Nga përhapja e fundit kishin humbur jetën 55 nga 143 personat e infektuar. Në mesin e të vdekurve ishin gjashtë punëtorë shëndetësorë./Nacionale