Udhëheqësit e rinj sirianë i kthehen ligjit islam në përpjekje për ta rindërtuar policinë e Assadit - NACIONALE

Udhëheqësit e rinj sirianë i kthehen ligjit islam në përpjekje për ta rindërtuar policinë e Assadit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Autoritetet e reja të Sirisë janë duke përdorur mësime islame për të trajnuar një forcë të re policore, veprim me të cilin oficerët thonë se synohet që të futet ndjenja e moralit, përderisa po synojnë që ta mbushin boshllëkun e sigurisë pas shpërndarjes së forcave të sigurisë të presidentit të rrëzuar, Bashar al-Assad, famëkëqija për korrupsion e brutalitet.

Policët që ata i sollën në Damask nga ish-enklava e tyre rebele në rajonin veriperëndimor të Idlibit po i pyesin aplikuesit për besimin e tyre dhe po përqendrohen në ligjin e sheriatit gjatë trajnimit të shkurtër që ua ofrojnë rekrutëve, sipas pesë oficerëve të lartë dhe sipas aplikacioneve që i ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Garantimi i stabilitetit dhe fitimi i besimit të njerëzve në mbarë Sirinë do të jenë jetike për islamistët sunitë për ta betonuar pushtetin e tyre. Sidoqoftë, lëvizja për ta vënë fenë në qendër të policisë rrezikon që të mbjellë përçarje të reja në një shtet me diversitet të mbushur me armë pas luftës civile 13-vjeçare dhe që t’i armiqësojë qeveritë e huaja për të cilat ata kanë bërë përpjekje për afrim, paralajmërojnë analistët rajonalë.

“Ka shumë sirianë të cilëve kjo mund t’u duket shqetësuese” – tha Aron Lund nga organizata “Century International”, e cila përqendrohet te Lindja e Mesme, kur u pyet për të gjeturat e agjencisë “Reuters”. “Jo vetëm pakicat – të krishterët, alauitët, druzët – por gjithashtu goxha shumë prej myslimanëve sunitë në vende si Damasku dhe Aleppoja, ku keni popullsi goxha të madhe sekulare, kosmopolitane që nuk është e interesuar në ligjin fetar”- shtoi ai.

Themelet fetare të trajnimit policor gjithashtu po i bëjnë qeveritë perëndimore që të hamendësojnë se sa i madh mund të jetë roli i Islamit në kushtetutën e Sirisë, të cilën rebelët tashmë në pushtet planifikojnë që ta rishikojnë, tha një diplomat, i cili nuk ishte i autorizuar për të folur publikisht rreth çështjes.

“Nuk është shenjë e mirë, por gjithashtu varet se sa prerazi do të zbatohet” – i tha diplomati agjencisë “Reuters”.

Ministria e Brendshme e Sirisë, e cila e mbikëqyr policinë, dhe Ministria e Informacionit nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth përqendrimit në fe gjatë rekrutimit dhe trajnimit policor, ose nëse ka plane për ta inkorporuar ligjin islam në kodin penal./Nacionale

Lajme të ngjashme