Udhëheqësit e BE-së pajtohen për fuqizimin e mbrojtjes - NACIONALE

Udhëheqësit e BE-së pajtohen për fuqizimin e mbrojtjes

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian u pajtuan të hënën për të bërë më shumë për fuqizimin e mbrojtjes kundër Rusisë dhe rreziqeve të tjera përmes rritjes së shpenzimeve dhe plotësimin e boshllëqeve në kapacitetet e tyre ushtarake.

“Shumë është bërë tashmë, por duhet të bëjmë më shumë. Duhet ta bëjmë më mirë, më fort, më shpejt – dhe duhet ta bëjmë së bashku” – tha pas një samiti të mbrojtjes në Bruksel Antonio Costa, president i Këshillit Evropian.

Megjithatë, udhëheqësit e lanë kryesisht pa përgjigje pyetjen se si do të paguhet rritja e planifikuar e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtetet evropiane tashmë i kanë rritur shpenzimet për mbrojtje viteve të fundit, si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe pikëpamjes në përhapje e sipër se ato nuk mund të mbështeten aq shumë te Shtetet e Bashkuara për ta mbrojtur kontinentin viteve të ardhshme.

Përpjekjet e tyre janë nxitur nga pyetjet rreth përkushtimit të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj aleancës së NATO-s dhe nga kërkesat e tij që shtetet evropiane të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e kontinentit.

Udhëheqësit e BE-së u pajtuan për t’u përqendruar te plotësimi i boshllëqeve kritike në mbrojtje si mbrojtja ajrore e raketore, municioni dhe transporti ushtarak, tha para gazetarëve Costa.

Më tej, udhëheqësit diskutuan se si mund të financohen këto prioritete, por nuk arritën një marrëveshje të hollësishme rreth këtij aspekti. Megjithatë, Komisioni Evropian u pajtua që të kërkojë fleksibilitet në rregullat që i mbikëqyr në lidhje me financat publike të shteteve të BE-së për ta bërë më të lehtë shpenzimin në fushën e mbrojtjes.

Vitin e kaluar, vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 1,9 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) në mbrojtje, ose rreth 326 miliardë euro – 30 për qind më shumë se më 2021, sipas vlerësimeve të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, shumë udhëheqës kanë thënë se do të ketë nevojë për të shpenzuar më shumë./Nacionale

Lajme të ngjashme