Udhëheqësit e BE-së dënojnë eskalimin e Erdoganit me Greqinë
Liderët e BE-së pritet të dënojnë përsëri eskalimin e ri të Turqisë kundër Greqisë, sipas draft-konkluzioneve të samitit të ardhshëm të BE-së.
“Këshilli Evropian shprehu shqetësim të thellë për veprimet dhe deklaratat e përsëritura së fundmi nga Turqia. Turqia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në draft-konkluzionet.
Duke kujtuar konkluzionet e tij të mëparshme dhe deklaratën e 25 marsit 2021, Këshilli Evropian “pret që Turqia të respektojë plotësisht të drejtën ndërkombëtare, të qetësojë tensionet në interes të stabilitetit rajonal në Mesdheun Lindor dhe të promovojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar sërish. Athina thotë se Turqia shkel çdo ditë hapësirën e saj ajrore dhe ka vënë re një rritje të fluksit të migracionit si nga deti ashtu edhe nga toka.
Për më tepër, duke u thirrur në traktate ndërkombëtare, Ankaraja po mëton çmilitarizimin e ishujve grekë fqinjë me Turqinë, duke pretenduar se prania e ushtrisë greke kërcënon sigurinë e vendit.
Nga ana tjetër, grekët pretendojnë se mbajnë forca ushtarake atje, pasi, në anën tjetër të Egjeut, Turqia ka "Ushtrinë Egje" me bazë në Izmir.
Grekët kanë gjithashtu kujtime të këqija nga e kaluara, pasi në vitin 1974, kur Junta tërhoqi trupat nga Qiproja, Turqia pushtoi territorin qipriot ilegalisht, duke mbetur deri ashtu më sot.
Duke folur për agjencinë e lajmeve të Athinës të hënën, një diplomat tha se "nuk kishte gjasa" që Turqia të ngrinte çështjen e çmilitarizimit të ishujve grekë në samitin e NATO-s.
“Erdogan mund të ngrejë çështjen e çmilitarizimit të ishujve vetëm nëse problemi me Suedinë dhe Finlandën nuk do të zgjidhej nga Samiti i Madridit për të larguar vëmendjen nga problemi kryesor që është pranimi i dy vendeve skandinave”, tha diplomati.
“Nëse kjo ndodh, pala greke do ta shpjegojë me qetësi, si gjithmonë, se Samiti i NATO-s nuk është vendi i duhur për të bërë pretendime të tilla absurde”, shtoi burimi.