U vra në shtator, caktohet data e varrimit të Nasrallahut të Hezbollahut
Grupi libanez Hezbollah njoftoi të dielën se funerali i ish-udhëheqësit Hassan Nasrallah do të mbahet më 23 shkurt, disa muaj pas vrasjes së tij gjatë një vargu të sulmeve ajrore izraelite në periferinë e Bejrutit.
Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Kassem, e dha njoftimin për funeralin e paraardhësit të tij në një fjalim të incizuar paraprakisht. Njoftimi vjen disa ditë pasi marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit e Hezbollahut iu zgjat afati deri më 18 shkurt, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Nasrallahu u vra më 27 shtator, pasi një varg sulmesh ajrore izraelite goditën disa ndërtesa në periferinë jugore të Bejrutit. Një ndihmës i lartë i sigurisë tha se Nasrallahu ndodhej brenda dhomës së operacioneve të luftës të Hezbollahut, kur ndodhën sulmet.
Trupat izraelite ende janë të pranishme në disa pjesë të jugut të Libanit, ku ato duhet të tërhiqen gradualisht sipas marrëveshjes së armëpushimit, me të cilën parashihet edhe tërheqja e militantëve të Hezbollahut në veri të Lumit Litani, ndërkohë ushtarët libanezë ta marrin kontrollin e zonës.
“Jugu thotë se nuk ka mundësi që Izraeli të mbetët në të, nuk ka mundësi që Izraeli të mbetet pushtues, dhe le ta dijë secili se sakrificat, pavarësisht se sa të mëdha, në fund do të çojnë në çlirimin e tokës dhe largimin e Izraelit” – tha Kassem-i.
Edhe pse një pjesë e madhe e kapaciteteve ushtarake të Hezbollahut janë shkatërruar gjatë luftimeve, Izraeli thotë se duhet të mbetet më gjatë në pjesën jugore të Libanit për ta zhbërë infrastrukturën ushtarake të këtij grupi, përfshirë rrjetin e tuneleve./Nacionale