U godit nga një veturë, vdes në Indi vrapuesi “më i vjetër” i maratonave në botë - NACIONALE

U godit nga një veturë, vdes në Indi vrapuesi “më i vjetër” i maratonave në botë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fauj Singh, burrë britaniko-indian që besohet se ishte vrapuesi më i moshuar në maratona në botë, ka vdekur në moshën 114-vjeçare pasi u godit nga një veturë në Indi.

Policia tha se Singh-i ishte duke kaluar një rrugë në fshatin ku ishte lindur në Punjab, kur një automjet i paidentifikuar e goditi atë. Banorët lokalë e dërguan në spital, ku i moshuari vdiq, raporton televizioni BBC.

Singh-i, ikonë globale, kishte vendosur rekorde duke vrapuar në maratona në shumë kategori të moshave, përfshirë kohën kur ishte 100 vjeç. Ai kishte filluar të vraponte në moshën 89-vjeçare dhe kishte marrë pjesë në nëntë maratona të plota mes viteve 2000 e 2023, kur ishte pensionuar.

Goditja me veturë ndodhi të hënën, kur i moshuar ishte duke ecur në fshatin e tij të lindjes, Beas Pind, afër qytetit Jalandhar.

“Një kërkim është duke u zhvilluar dhe i akuzuari do të kapet së shpejti” – tha zyrtari i lartë policor, Harvinder Singh.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e quajti të ndjerin “atlet të jashtëzakonshëm me vendosmëri të pabesueshme”.

Kur televizioni BBC ishte takuar me Singh-in në qershor në fshatin e tij, ai ishte i zhdërvjellët dhe aktiv, duke ecur çdo ditë me kilometra.

“Ende dal për ecje përreth fshatit për t’i mbajtur të forta këmbët e mia. Njeriu duhet të kujdeset për trupin e vet” – kishte thënë ai./Nacionale

Lajme të ngjashme