U akuzuan për përkrahje të RSF-së, Emiratet e Bashkuara premtojnë 500 milionë dollarë për Sudanin - NACIONALE

U akuzuan për përkrahje të RSF-së, Emiratet e Bashkuara premtojnë 500 milionë dollarë për Sudanin

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Emiratet e Bashkuara Arabe të martën u zotuan për dhurimin e 500 milionë dollarëve për një fond të Kombeve të Bashkuara për ndihma humanitare për Sudanin, në kohën e një nisme të Shteteve të Bashkuara për përtëritjen e përpjekjeve për armëpushim në konfliktin që e ka lënë të shkatërruar shtetin e madh afrikan.

Sudani i ka akuzuar Emiratet e Bashkuara se i kanë armatosur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat kanë qenë luftuar kundër ushtrisë sudaneze në luftën civile që shpërtheu në prillin e vitit 2023 – akuzë që është mohuar nga Abu-Dabi, por është cilësuar si e besueshme nga ekspertë të OKB-së e ligjvënës amerikanë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke folur në një organizim për donatorë në Uashington, ministrja shtetërore e Emirateve të Bashkuara, Lana Nusseibeh, tha se vendi i saj dëshiron që të shohë armëpushim në konfliktin e Sudanit, pa e përmendur mbështetjen e pretenduar të vendit të saj për RSF-në.

Nusseibeh në të kaluarën ka thënë se Emiratet e Bashkuara i dënojnë shkeljet nga të dyja palët ndërluftuese dhe dëshiron që të shohë një qeveri të pavarur e të drejtuar nga civilët në Sudan.

Emisari i posaçëm amerikan për Afrikën, Massad Boulos, tha se ai pret që një shumë e përgjithshme prej 1,5 miliard dollarësh fonde të reja të premtohen në organizimin e mbajtur në Uashington, përfshirë 200 milionë dollarë shtesë për Sudanin nga Shtetet e Bashkuara. Shtetet e tjera që morën pjesë në këtë ngjarje nuk dhanë premtime të qarta rreth ndihmave të reja.

Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë, miliona të tjerë janë zhvendosur si dhe uria është përhapur si pasojë e konfliktit në Sudan. Luftime janë zhvilluar në disa zona gjatë muajve të fundit. Vija më e re e frontit është në rajonin jugor të Kordofanit, ku ushtria pretendon se ka shënuar përparim ditëve të fundit.

Emisari Boulos tha se Shtetet e Bashkuara po i shtyjnë palët që të pajtohen për një armëpushim para se të fillojë muaji i shenjtë i Ramazanit më 17 shkurt./Nacionale

Lajme të ngjashme