Tusku i Polonisë: Është lufta jonë, humbja e Ukrainës do të thoshte dështimi ynë - NACIONALE

Tusku i Polonisë: Është lufta jonë, humbja e Ukrainës do të thoshte dështimi ynë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i paralajmëroi të enjten udhëheqësit se Evropa nuk është më në një periudhë të paraluftës, por ballafaqohet me një luftë.

“Është absolutisht e qartë se ne duhet t’i ndalim të gjitha llojet e iluzioneve. Iluzioni i parë ishte dhe është që nuk ka luftë. Ky është te disa prej nesh, neve na pëlqejnë këto definicione [më të buta], si agresioni i shkallës së plotë ose incidente ose provokim. Jo, është, është një luftë – një lloj i ri i luftës, shumë kompleks, por është luftë” – deklaroi kryeministri polak, raporton gazeta “The Guardian”.

Ai më pas zbuloi se vendi i tij ka përjetuar më shumë incidente të sigurisë ditëve të fundit. Incidenti më i ri ndodhi afër portit Szczecin vetëm para pak ditëve.

“Ne [shohim] incidente të reja në rajonin tonë, në Detin Baltik, secilën javë. Janë pothuajse përditë” – shtoi Tusku.

Më tej, kryeministri polak tha se, për vendin e tij, kjo luftë “nuk është abstrakte”, kur ka shumë përpjekje për t’u kaluar ilegalisht kufiri polak me Bjellorusinë “për çdo ditë”, ku kanë ndodhur edhe disa sulme, përfshirë të tilla me pasoja në njerëz.

“Është lufta jonë dhe, nëse Ukraina humb, kjo do të thotë dështimi ynë” – paralajmëroi politikani pro-evropian.

Sipas tij, nëse shikohen të gjitha llojet e matjeve, Evropa është shumë më e fortë se Rusia. “E vetmja [përparësi] e Rusisë është këtu: ata janë të gatshëm për të luftuar. Ata janë të gatshëm që të sakrifikojnë diçka, janë të gatshëm të vuajnë, dhe kjo përparësi psikologjike, për këtë arsye ne nganjëherë nuk jemi mjaftueshëm vendimtarë dhe mjaftueshëm të vendosur” – tha Tusku.

“Ne e dimë se nëse ata fitojnë kundër Ukrainës, pastaj, në të ardhmen, është fundi i vendit tim dhe i Evropës, s’kam dyshim” – shtoi kryeministri polak.

Lajme të ngjashme