Turqia jep ndihmë në shpëtimin e aktivistëve për Gazën, pasi anija e tyre u prish - NACIONALE

Turqia jep ndihmë në shpëtimin e aktivistëve për Gazën, pasi anija e tyre u prish

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Turqia ka dhënë ndihmë për evakuimin e aktivistëve që ndodheshin në një anije të nisur drejt Gazës, pasi ajo ishte prishur dhe kishte filluar të depërtonte uji brenda saj, thanë organizatorët dhe agjencia shtetërore turke e lajmeve, “Anadolu”.

Flota me anije të vogla, pjesë e së cilës është edhe aktivistja suedeze me famë botërore, Greta Thunberg, u nis nga Barcelona më herët këtë muaj me qëllim që ta thyejë bllokadën detare izraelite të Gazës dhe që të dërgojë një sasi simbolike të ndihmave në enklavë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin “Instagram”, organizatorët e flotës thanë se misioni u ndal përkohësisht, pasi njëra nga anijet, e quajtur “Johnny M”, pësoi rrjedhje në dhomën e motorit.

“Të gjithë pjesëmarrësit janë transferuar në mënyrë të sigurt në një anije tjetër. Disa do të caktohen në anije të tjera, ndërsa të tjerët do të dërgohen në breg” – thuhet në deklaratë.

Sipas agjencisë “Anadolu”, anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare mes Kretës së Greqisë, Qipros dhe Egjiptit, kur lëshoi thirrje urgjente të hënën herët.

Autoritetet turke, përfshirë Gjysmëhënën e Kuqe Turke, i bashkërenduan përpjekjet për evakuimin e personave që ndodheshin në anije.

Semih Fener, kapiten i njërës prej anijeve të dislokuara për të ofruar asistencë, i tha agjencisë “Anadolu” se incidenti kishte ndodhur për shkak të një problemi teknik, jo për shkak të përmbytjes./Nacionale

Lajme të ngjashme