Turqia i thërret në takime emisarët e Ukrainës dhe Rusisë - NACIONALE

Turqia i thërret në takime emisarët e Ukrainës dhe Rusisë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Turqia i thirri ambasadorin e Ukrainës dhe të ngarkuarin me punë në detyrë të Rusisë në Ministrinë e Jashtme për t’ua shprehur shqetësimet për një varg sulmesh ndaj anijeve të lidhura me Rusinë brenda zonës së saj ekskluzive ekonomike në Detin e Zi.

Lajmin për thirrjen e diplomatëve e bëri të ditur të enjten zëvendësministrja e Jashtme e Turqisë, Berris Ekinci, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi shumë serioz në javët e fundit në luftën Rusi – Ukrainë me sulme reciproke” – tha Ekinci para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Turqisë.

“E së fundi, pati sulme të caktuara në Detin e Zi edhe brenda zonës sonë ekskluzive ekonomike” – shtoi ajo.

Të martën, presidenti rus, Vladimir Putin, kërcënoi se do ta linte Ukrainën pa qasje në det si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me dronë ndaj anijeve transportuese të “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi.

“Zgjidhja më radikale është që të izolohet Ukraina nga deti, atëherë piratëria do të jetë e pamundshme në parim” – tha kreu i Kremlinit në komentet e transmetuara në televizion.

Ai paralajmëroi se Rusia do t’i shtojë sulmet ndaj objekteve dhe anijeve ukrainase dhe do të ndërmarrë masa kundër anijeve transportuese të shteteve që e ndihmojnë Ukrainën./Nacionale

Lajme të ngjashme