Turqia i prezanton dy kozmonautët e parë të vendit
Turqia i ka përzgjedhur Alper Gezeravci-n dhe Tuva Cihangir Atasever-in si udhëtarët e parë të vendit në hapësirë. Ata do ta nisin misionin në çerekun e fundit të vitit, njoftoi presidenti turk, Rexhep Erdogan.
Duke folur në festivalin e teknologjisë “Teknofest”, Erdogani tha se Gezeravci, pilot i Forcave Ajrore Turke, do të dërgohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ndërsa Atasaver, inxhinier i sistemeve në kompaninë turke për prodhimin e raketave, “Roketsan”, në fushën e sistemeve për nisje në hapësirë, është zgjedhur si kandidat rezervë, raporton agjencia “Anadolu”.
Turqia e themeloi Agjencinë Turke të Hapësirës më 2018, ndërsa më 2019 i publikoi programin hapësinor të vendit dhe misionin hapësinor me ekuipazh.
“Jemi munduar shumë për të bërë një klimë në vendin tonë, ku të rinjtë tanë mund t’i ndjekin ëndrrat e tyre pa frikë”- tha presidenti turk.
“I kemi këputur prangat e prapambetjes në Turqi, e kemi ndërtuar infrastrukturën e një Turqie të madhe dhe të fuqishme”- shtoi ai.
Erdogani tha se Turqia është bërë shpresë për të gjithë popujt e shtypur, duke deklaruar: “Ne kemi dëshmuar se nuk është fati i popullit tonë që të jetojë duke u varur nga të tjerët.”
Ai pretendoi se festivali “Teknofest” është numër një në botë për aviacionin dhe hapësirën dhe se ky organizim është bërë brend në fushën e vet.
Sipas tij, numri i pjesëmarrësve në këtë festival është rritur secilin vit nga viti 2018. Erdogani tha se në edicionin e parë të festivalit ishin 4,233 aplikime nga garuesit, ndërsa këtë vit ishin 333 ekipe dhe një milion njerëz.