Turqia i kërkon Greqisë të çmilitarizojë ishujt Aegean
Ditën e martë Turqia i ka bërë thirrje Greqisë për të çmilitarizuar ishujt Aegean, duke e paralajmëruar se vendi do ta ndryshojë statusin e ishujve nëse Greqia dështon në çmilitarizimin e tyre.
Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se Greqia ka krijuar prezencë ushtarake në këta ishuj, gjë që bie në kundërshtim me Traktatin e Lozanës të vitit 1923 dhe atë të Parisit në vitin 1947. Ai tha se ishujt i janë dhënë Greqisë nën kushtin që t’i mbajë pa prezencë ushtarake.
“Marrëveshjet janë aty, por Greqia nuk po i’u përmbahet. Nësë Greqia nuk e ndalon këtë shkelje, do të duhet të diskutohet sovraniteti i ishujve.”
Sipas Associated Press, Greqia ka thënë se Turqia qëllimisht po i keq interpreton marrëveshjet në lidhje me prezencën e forcave ushtarake, duke shtuar se vendi ka baza ligjore për të mbrojtur veten e saj, përfshirë nga kërcënimi i vazhdueshëm nga Ankaraja për luftë, në rast se zgjeron ujërat territoriale.
Komentet e ministrit turk vijnë në një kohë tensionesh me anëtarët e NATO-s.
Kujtojmë se muajin e kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se ai nuk do t’i flasë më presidentit grek, Kyriakos Mitsotakis, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj komenteve që Mitsotakis kishte bërë gjatë një udhëtimi në SHBA, përfshirë disa sugjerime që ai kishte dhënë Kongresit në lidhje me bllokimin e kërkesës së Turqisë për avionët luftarakë, F-16.
Ndërkohë, në Athinë, Mitsotakis tha se duheshin kufizime në të dy anët e ishujve Aegean për shkak të luftës në Ukrainë.
“Mendoj që jemi ende shumë larg nga ajo pikë, larg nga tensionet që i kishim në verën e vitit 2020,” tha Mitsotakis duke i’u referuar tensioneve mes dy vendeve për shkak të së drejtës të kërkimeve të gazit në Mediteran.
“Sot, gjithkush duhet të tregohet i përmbajtur. Në veçanti tani që jemi duke u përballur me një sfidë të madhe në NATO për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Ne duhet të jemi të bashkuar,” tha ai.
Cavusoglu tha se Ankaraja i ka dërguar dy letra në Kombet e Bashkuara mbi çështjen e prezencës ushtarake greke në ishuj, duke bërë thirrje që Greqia t’u përgjigjet letrave të dërguara.
Ministri tha se, “ata po bëhen agresivë, pasi nuk po mund t’u përgjigjen letrave.”