Turqia e arreston njërin nga më të kërkuar në Suedi, Ismail Abdo
Njëri nga udhëheqësit e dyshuar më të kërkuar të një bande në Suedi u dërgua në ndalim të premten në Turqi gjatë një bastisjeje kundër trafikuesve të dyshuar të drogës, në atë që policia suedueze e përshkroi si sukses të madh në betejën kundër krimit të organizuar.
“Arrestimi është rezultat i një pune të shënjestruar me kalimin e kohës mes sistemeve juridike turke dhe suedeze” – tha në një deklaratë policia suedeze, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në këtë deklaratë nuk u identifikua i dyshuari, por një burim policor suedez dhe televizioni shtetëror turk “TRT Haber” thanë se bëhet fjalë për Ismail Abdo-n, 35 vjeç, person me shtetësi të dyfishtë suedezo-turke.
Më shumë se 12 njerëz janë vrarë në Suedi nga viti 2023, përfshirë nënën e Abdo-s, në atë që policia e ka përshkruar si luftë bandash mes tij dhe një ish-aleati.
Televizioni “TRT Haber” raportoi se Abdo ishte në mesin e 19 të dyshuarve të arrestuar si pjesë e një hetimi të madh ndaj grupeve të krimit të organizuar të përfshira në trafikim ndërkombëtar të drogës dhe pastrim të parave.
Autoritetet gjithashtu sekuestruan asete në vlerë të rreth 1,5 miliard lirave turke (38 milionë dollarë). Urdhërarreste u lëshuan për 21 të dyshuar të tjerë. Katër prej tyre janë në arrati, 14 besohet se ndodhen jashtë Turqisë dhe tre tashmë në ndalim nën akuza të tjera.
Në Suedi, kapja e Abdo-s do t’u japë shtysë domethënëse policisë dhe qeverisë djathtiste, e cila i fitoi zgjedhjet e vitit 2022 me premtimin për ta ndalur valën e krimeve nga bandit, që e ka kapluar vendin për më shumë se një dekadë./Nacionale