Turqia do ta ndihmojë Sirinë me sisteme armësh e pajisje ligjistike sipas paktit të ri
Turqia do t’i ofrojë Sirisë sisteme armësh dhe mjete logjistike sipas një pakti për bashkëpunim ushtarak të nënshkruar të mërkurën, tha një burim në Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë, duke shtuar se Ankaraja gjithashtu do ta trajnojë ushtrinë siriane për përdorimin e këtyre pajisjeve, nëse është e nevojshme.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka qenë njëra nga aleatet kryesore të Sirisë që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar. Ankaraja është zotuar se do t’i mbështesë trajnimin dhe ristrukturimin e forcave të armatosura siriane, në rindërtimin e vendit dhe institucioneve shtetërore dhe do t’i përkrahë përpjekjet për mbrojtjen e integritetit territorial sirian, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Si hap i parë drejt një akordi gjithëpërfshirës për bashkëpunim ushtarak që ka qenë duke u negociuar me muaj, Turqia dhe Siria të mërkurën nënshkruan një memorandum bashkëpunimi pas takimeve të shumta mes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes si dhe shefave të inteligjencës.
“Memorandumi synon që t’i bashkërendojë dhe t’i planifikojë trajnimin dhe bashkërendimin ushtarak, të ofrojë konsulencë, shkëmbim të të dhënave dhe përvojës, ta garantojë sigurimin e pajisjeve ushtarake, sistemeve të armëve, materialeve logjistike dhe shërbimeve që ndërlidhen me to” – tha të enjten burimi në Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë.
Turqia ka qenë duke shfaqur mungesë durimi për atë që e quan mungesë të zbatimit të marrëveshjes së marsit mes Damaskut dhe Forcave Demokratike Siriane, të cilat udhëhiqen nga kurdët dhe përkrahen nga Shtetet e Bashkuara, për integrimin e këtyre forcave në aparatin shtetëror sirian.
Ankaraja ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Forcave Demokratike Siriane, të cilat i konsideron organizatë terroriste dhe kundër të cilave ka kryer operacione matanë kufirit në të kaluarën.
Burimi turk tha se Forcat Demokratike Siriane nuk e kanë përmbushur asnjërin nga kushtet e marrëveshjes së marsit dhe e përsëriti akuzën e Turqisë se veprimet e grupit janë duke e minuar unitetin politik të Sirisë.
“Pritjet tona janë respektimi i plotë i marrëveshjes që është nënshkruar dhe zbatimi urgjent i saj në terren”, shtoi burimi në Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë./Nacionale