Turqia dhe Egjipti emërojnë ambasadorë pas një dekade pa ta - NACIONALE

Turqia dhe Egjipti emërojnë ambasadorë pas një dekade pa ta

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Turqia dhe Egjipti kanë emëruar ambasadorë në kryeqytetet e njëri-tjetrit për herë të parë në një dekadë për t’i rivendosur marrëdhëniet normale diplomatike, njoftuan të martën ministritë e jashtme të këtyre vendeve.

Konsultimet mes zyrtarëve të lartë të këtyre ministrive në Ankara dhe Kairo filluan më 2021, pasi Turqia synoi marrëdhënie më të mira me Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Izraelin, raporton agjencia “Reuters”.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Kairos u përshpejtua pasi presidentët Abdel Fattah al-Sisi i Egjiptit dhe Rexhep Erdogan i Turqisë i shtrënguan duart në Doha të Katarit vitin e kaluar, gjatë zhvillimit të Kupës së Botës në futboll. Ata u pajtuan në maj që t’i emëronin ambasadorët.

Ministria e Jashtme e Egjiptit tha se Amr Elhamamy do të jetë ambasador i Egjiptit në Ankara, ndërsa Turqia e ka nominuar Salih Mutlu Sen-in për ambasador në Kairo.

Turqia dhe Egjipti nuk kanë pasur ambasadorë në kryeqytetet e njëri-tjetrit që nga viti 2013, kur Egjipti e kishte dëbuar ambasadorin turk dhe e kishte akuzuar Ankaranë për përkrahje të organizatave që e kishin për synim minimin e vendit.

Lajme të ngjashme