Turqia bën ofertë për të qenë nikoqire e bisedimeve të mundshme Ukrainë – Rusi
Turqia tha të hënën se është e gatshme për të qenë nikoqire e bisedimeve të mundshme mes Ukrainës e Rusisë dhe se do të përkrahte çfarëdo nisme që çon në paqe, pas një vizite në Ankara nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Turqia, anëtare e NATO-s, kishte qenë mikpritëse e bisedimeve fillestare mes dy palëve të konfliktit disa muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, duke ndihmuar në sigurimin e një pakti për kalimin e sigurt të eksporteve të drithit nëpër Detin e Zi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke folur krahas Lavrovit në trevjetorin e fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se Ankaraja e vlerëson nismën e ShBA-së për paqe si qasje “të orientuar drejt rezultatit”, por përsëri theksoi se të dyja palët e konfliktit duhet të marrin pjesë në procesin për arritjen e një zgjidhjeje.
“Në atë kornizë, ne jemi të gatshëm për të kontribuuar me të gjitha format e mbështetjes që paqja të arrihet përmes bisedimeve. Ne jemi të gatshëm që të jemi nikoqirë të këtyre bisedimeve, siç kemi bërë më parë” – deklaroi kryediplomati turk.
Edhe pse ai nuk e përsëriti qëndrimin e gjatë të Ankarasë në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, presidenti turk, Rexhep Erdogan, e bëri këtë në një video-mesazh për shënimin e përvjetorit të luftës.
Kur u pyet për garancitë e sigurisë që Ukraina i ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë evropianë për përfundimin e luftës, Fidani tha se Ankaraja është “e gatshme për të bërë çfarëdo hapi që kontribuon për paqe në parim”.