Turqia arreston disa gazetarë, dyshohet se publikuan vizatim të profetit Muhamed
Katër punonjës të një reviste satirike në Turqi janë arrestuar për publikimin e një vizatimi që duket se e shfaq profetin Muhamed – gjë e ndaluar në Islam.
Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Ali Yerlikaya, e dënoi vizatimin e revistës “LeMan”, duke e quajtur “të paturpshëm” dhe duke njoftuar se kryeredaktori, dizajneri grafik, drejtori institucional dhe karikaturisti janë ndaluar, raporton televizioni BBC.
Në një postim në rrjetin X, revista “LeMan” mohoi se vizatimi ishte karikaturë e profetit Muhamed, duke thënë se “vepra nuk i referohet profetit Muhamed në asnjë mënyrë”.
Policë kundër trazirave u dislokuan në Stamboll të hënën, pasi qindra njerëz protestuan kundër publikimit të kësaj reviste.
Protestuesit u mblodhën para zyrave të revistës “LeMan” duke brohoritur slogane si “dhëmb për dhëmb, gjak për gjak, hakmarrje, hakmarrje”.
Një korrespondent i agjencisë së lajmeve AFP raportoi se kishte parë policë duke shkrepur plumba gome e duke hedhur gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën.
Ministri i Drejtësisë i Turqisë tha se një hetim është nisur nga zyra e kryeprokurorit publik për “fyerje publike të vlerave fetare”.
“Karikatura ose çfarëdo forme e paraqitjes pamore të profetit tonë jo vetëm që i dëmton vlerat tona fetare, por gjithashtu e dëmton paqen shoqërore” – shkroi ministri Yilmaz Tunc në rrjetin X.
“Hapat e nevojshëm ligjorë do të ndërmerren pa vonë” kundër revistës “LeMan”, paralajmëroi ai.
Ndërkohë ministri Yerlikaya publikoi video të arrestimit të katër punonjësve të revistës. Urdhërarreste janë lëshuar edhe për anëtarë të tjerë të menaxhmentit të lartë të saj./Nacionale
Hadsiz derginin grafikeri C.O. adlı şahıs da yakalanarak gözaltına alındı.
— Ali Yerlikaya (@AliYerlikaya) June 30, 2025
Sevgili Peygamberimize (S.A.V.) yönelik gerçekleştirilen bu alçaklık hukuk önünde hak ettiği cezayı görecektir. pic.twitter.com/deWsbRWPFi