Trupat izraelite mbeten në pesë pozicione në Liban edhe pas afatit për tërheqje
Ushtria izraelite është larguar nga fshatrat jugore të Libanit, por vazhdon të mbetet në pesë pozicione, i tha agjencisë së lajmeve AFP një burim libanez i sigurisë, përderisa skadoi afati për tërheqjen e tyre sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar me Hezbollahun.
“Ushtria izraelite është tërhequr nga të gjitha fshatrat kufitare me përjashtim të pesë pikave, ndërsa ushtria libaneze është duke u dislokuar gradualisht për shkak të pranisë së lëndëve shpërthyese në disa zona dhe dëmit ndaj rrugëve” – shtoi burimi, raporton gazeta “The Guardian”.
Marrëveshja e armëpushimit u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca dhe hyri në fuqi më 27 nëntor të vitit të kaluar. Sipas paktit, ushtarëve izraelitë u kërkohet tërheqja nga pjesa jugore e Libanit, ndërsa Hezbollahut zhvendosja e luftëtarëve dhe armatimit të rëndë në veri të Lumit Litani, rreth 25 kilometra në veri të kufirit.
Afati fillestar për tërheqje ishte në fund të janarit, por Izraeli dhe Libani ishin pajtuar për ta zgjatur atë deri më 18 shkurt. Të dyja palët kanë shkëmbyer akuza për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit, me të cilën iu dha fund luftimeve 14-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut.
“Ne do të kemi sasi të vogël të trupave të dislokuara përkohësisht në pesë pika strategjike përgjatë kufirit në Liban në mënyrë që të mund ta vazhdojmë mbrojtjen e banorëve tanë dhe për t’u siguruar që të mos ketë kërcënim të menjëhershëm” – tha të hënën pasdite zëdhënësi ushtarak izraelit, Nadav Shoshani.
Raportohet se rreth 60 njerëz janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit, më shumë se 20 prej tyre më 26 janar, kur banorët libanezë u munduan të ktheheshin në qytezat kufitare në afatin fillestar për tërheqje të trupave.