Trupat e 89 emigrantëve nxirren nga Oqeani Atlantik
Roja bregdetare e Mauritanisë, shtet në Afrikën Perëndimore, ka nxjerrë nga uji 89 trupa të emigrantëve që po lundronin me një barkë që u përmbyt në Oqeanin Atlantik të hënën.
Nëntë persona, përfshirë një vajzë 5-vjeçare, u shpëtuan, por dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur, raporton televizioni BBC.
Të mbijetuarit thonë se e kishin nisur lundrimin me një barkë peshkimi javën e kaluar nga kufiri mes Senegalit dhe Gambisë me 170 persona në të. Barka u përmbys jo shumë larg bregdetit jugperëndimor të Mauritanisë.
Mauritania është zonë kyçe e transitit për emigrantët që mundohen të arrijnë në Evropë nga Afrika Perëndimore. Mijëra u nisën nga ky shtet vitin e kaluar.
Destinacioni më i zakonshëm në lundrimin e rrezikshëm janë Ishujt Kanarie të Spanjës.
Qeveria spanjolle thotë se gati 40 mijë njerëz arritën atje vitin e kaluar, dyfish më shumë se më 2022.
Të dëshpëruar për të arritur në Evropë, emigrantët shpesh lundrojnë me barka të stërngarkuara.
Më shumë se pesë mijë emigrantë vdiqën gjatë përpjekjeve për të arritur në Spanjë përmes detit në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas organizatës bamirëse “Ca-minando Fronteras”.
Në prill, Bashkimi Evropian i dha Mauritanisë 210 milionë euro ndihmë, prej të cilave 60 milionë euro do të investohen në luftën kundër emigrimit pa dokumente drejt Evropës./Nacionale