Trumpi urdhëron 100 për qind taksë ndaj filmave të huaj për ta shpëtuar Hollywood-in që “po vdes”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të dielën njoftoi taksë 100 për qind ndaj filmave të prodhuar jashtë vendit, duke thënë se industria amerikane e filmit po përjeton “një vdekje shumë të shpejtë” për shkak të masave stimuluese që shtetet e tjera po ofrojnë për të joshur producentë.
“Kjo është një përpjekje e bashkërenduar nga kombet e tjera dhe, rrjedhimisht, kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Shtuar gjithçkaje tjetër, kjo është porosi dhe propagandë” – tha Trumpi në rrjetin “Truth Social”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se po i autorizonte agjencitë qeveritare përkatëse, si Departamenti i Tregtisë, që menjëherë ta fillonin procesin e vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj të gjithë filmave të prodhuar jashtë vendit e që më pas dërgohen në ShBA, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Ai shtoi: “Ne duam filma të prodhuar në Amerikë, përsëri!”
As Trumpi, as sekretarti i Tregtisë, Hoëard Lutnick, nuk ofruan ndonjë hollësi rreth asaj se si do të zbatohet kjo taksë.
Filmat dhe prodhimet e tjera televizive kanë qenë duke u larguar nga Hollyëood-i me vite, duke shkuar në vende ku ofrohen masa stimuluese që e bëjnë më të lirë prodhimin e tyre.
Të gjitha kompanitë kryesore të filmave, përfshirë “Walt Disney”, “Netflix” e “Universal Pictures”, prodhojnë filma jashtë Shteteve të Bashkuara, në vende si Kanadaja e Britania e Madhe.