Trumpi u shpall fajtor, çka tash e tutje?
Shpallja e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, fajtor për 34 pika të aktakuzës rreth falsifikimit të dokumenteve biznesore e solli më afër fundit gjykimin, por tani nis një fazë e re e rastit historik.
Tash në pozicionin e veçantë të ish-presidentit të parë që dënohet për vepër penale, Trumpi ballafaqohet me mundësinë e dënimit me burgim ose dënimit me kusht për krimet e tij që rrjedhin nga një skemë pagesash që ai e kishte lehtësuar para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, raporton televizioni CNN.
Trumpi, i njohur për paraqitjen e apeleve të gjata ndaj vendimeve të gjykatave kundër tij, gjithashtu pritet që ta apelojë edhe këtë dënim, veprim që do të mund ta shtynte në masë të konsiderueshme shqiptimin e dënimit, që tash për tash është caktuar për 11 korrik.
Kur do të dënohet Trumpi?
Gjykatësi Juan Merchan e ka vendosur datën 11 korrik, në orën 10:00 paradite sipas zonës lokale kohore, për shpalljen e dënimit ndaj Trumpit.
Merchan mund ta dënojë Trumpin me dënim me kusht ose deri në katër vite burgim për secilën pikë të aktakuzës, maksimumi 20 vjet.
Tash për tash, ish-presidenti do të jetë jashtë burgut, përderisa e pret shpalljen e dënimit. Prokurorët nuk kanë kërkuar që Trumpi të japë dorëzani.
A mund ta apelojë dënimin Trumpi?
Trumpi vazhdimisht i ka apeluar vendimet e gjykatave kundër tij në përpjekje për t’i vonuar procedurat ose për t’i çuar rastet në një gjykatë që mund të dalë në anën e tij. Rasti i Nju-Jorkut nuk përbën dallim.
Pak pas shpalljes fajtor të Trumpit, avokati i tij, Todd Blanche, kërkoi nga gjykatësi Merchan që të lëshonte një shfajësim nga akuzat pavarësisht nga vendimi fajësues. Gjykatësi e hodhi poshtë kërkesën.
Gjatë rrjedhës së gjykimit, ekipi ligjor i Trumpit bëri hapa të tjerë për ta ruajturë të djretën e tij për apel ndaj një vendimi potencialisht fajësues, duke i shikuar vendimet nga gjykatësi rreth dëshmive. Pothuajse është e sigurt se ekipi i ish-presidentit do të paraqesë apel ndaj vendimit në javët e ardhshme.
A mund të zgjidhet Trumpi president?
Thënë shkurt, po.
Profesori i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë, Richard L. Hasen – njëri nga ekspertët më të dalluar amerikanë rreth ligjeve për zgjedhje – ka thënë vazhdimisht se asgjë në Kushtetutën e ShBA-së nuk ia ndalon një krimineli të dënuar pjesëmarrjen në garë për postin më të lartë të vendit.
“Ligjërisht, asgjë nuk ndryshon me statusin e Trumpit si kandidat” – shkroi profesori Hasen të enjten.